Zbardhet vendimi që lejon Inspektoratin Ndërtimor të ndërhyjë në gjithë territorin. Task-Force përcakton ndërtimet që shemben të parat.Vendimi i qeverisë, ndërhyrje në ndërtimet me shkelje në të gjithë territorin.INUK, super-inspektorat që do veprojë me dorë të fortë.Task-Forca do evidentojë zonat e ndërhyrjes emergjente.
12 tetor 2013-Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të ketë fuqi më të madhe vepruese në të gjithë territorin. Në mbledhjen e datës 30 shtator, qeveria, për të realizuar ndërhyrjen në të gjithë territorin ndaj ndërtimeve pa leje, i ka dhënë INUK-ut më shumë kompetenca për të vepruar, mbi kompetencat që i atribuonte ligji i mëparshëm. “Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) i ushtron pa asnjë kufizim paraprak kompetencat e përcaktuara në nenet 9, 10 e 10/1 të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 ‘Për inspektimin e ndërtimit’, në çdo rast kur ai konstaton objekt të kundërligjshëm, me ose pa leje ndërtimi, në të gjitha zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare, me ligj, akte nënligjore apo me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit”, thuhet në vendimin e qeverisë. Kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të tejkalojnë dhe kompetencat e inspektorateve vendore, kur INUK do të konstatojë se ato nuk e kanë zbatuar si duhet ligjin. “Në rastet kur INUK konstaton objekte në ndërtim e sipër në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat dhe objektet e rëndësisë kombëtare, dhe kur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) dhe/ose autoriteti përgjegjës i planifikimit nuk ka zbatuar përgjegjësitë ligjore të përcaktuara në nenin 83 të ligjit nr. 10119, datë 23.4.2009 ‘Për planifikimin e territorit’, atëherë INUK ushtron menjëherë kompetencat e përcaktuara në nenet 9, 10 e 10/1 të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007″, thuhet në vendim. Qeveria, me vendimin e saj përcakton edhe rastet kur INUK do të konsiderojë si të paligjshëm një ndërtim dhe duhet të ndërhyjë tek ai. INUK do të njohë si të kundërligjshëm një objekt ndërtimi që është pa leje ndërtimi; është me leje ndërtimi, por me shkelje të plotë të kushteve urbanistike të miratuara në lejen e ndërtimit; kur ka kaluar afati ligjor i përcaktuar në lejen e ndërtimit për përfundimin e objektit dhe/ose objekti është braktisur nga investitori/subjekti ndërtues/pronari; kur është pa dokumentacion tekniko-ligjor që të vërtetojë ligjshmërinë tekniko-ligjore të objektit apo dhe kur objekti rezulton me shkelje të lejes së legalizimit ose me leje legalizimi të miratuar në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, në fuqi për legalizimet.
Task-Forca
Në mbledhjen e saj të fundit, qeveria vendosi ngritjen e Task-Forcës për Mbrojtjen e Territorit, e cila do të ketë si funksion të saj “analizimin e problematikës së ndërtimit dhe vlerësimin e nevojës për ndërhyrje emergjente, për masa të mbrojtjes në të gjithë territorin, si dhe në veçanti dhe me përparësi në zonat e përcaktuara si zona të rëndësisë kombëtare, me ligj, akte nënligjore apo me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit”. Gjithashtu, kjo strukturë do të bëjë evidentimin e zonave me interes kombëtar, në të cilat do të zbatohen masat e ndërhyrjes emergjente për rehabilitimin dhe mbrojtjen mjedisore të territorit.
Kompetencat e reja për INUK
INUK ndërhyn kur mjedisi është dëmtuar apo shkatërruar tërësisht nga zhvillimi i ndërtimeve të objekteve:
a) pa leje ndërtimi;
b) me leje ndërtimi, por të realizuara me shkelje të kushteve urbanistike të lejeve të ndërtimit;
c) me leje ndërtimi të kundërligjshme;
ç) dhe të strukturave/ndërtimeve në proces legalizimi, të cilat bien në kundërshtim me kërkesat ligjore, të përcaktuara në vendimin nr. 438, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar objektet në ndërtim apo që legalizohen ose jo”. Në këto raste, është ALUIZNI autoriteti përgjegjës, i cili konfirmon moskualifikimin për legalizim të këtyre objekteve dhe njofton INUK.
Objekt i kundërligjshëm për INUK kur:
a) është pa leje ndërtimi;
b) është me leje ndërtimi, por me shkelje të plotë të kushteve urbanistike të miratuara në lejen e ndërtimit, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe/ose në kundërshtim me planet, kombëtare apo vendore, të zhvillimit;
c) për këtë objekt ka kaluar afati ligjor i përcaktuar në lejen e ndërtimit për përfundimin e objektit dhe/ose objekti është braktisur nga investitori/subjekti ndërtues/pronari;
ç) është pa dokumentacion tekniko-ligjor që të vërtetojë ligjshmërinë tekniko-ligjore të objektit;
d) objekti rezulton me shkelje të lejes së legalizimit ose me leje legalizimi të miratuar në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, në fuqi për legalizimet.
6. Policia e Shtetit, kur konstaton punime ndërtimore të kundërligjshme në të gjithë territorin, merr masat ligjore përkatëse dhe njofton menjëherë INUK.
7. Në ushtrimin e kompetencave në prishjen e ndërtimeve të kundërligjshme, INUK bashkëpunon dhe mbështetet nga Policia e Shtetit.
Task-Forca për Mbrojtjen e Territorit
Drejtues
Saimir Tahiri Ministër i Brendshëm
Anëtarë
Eglantina Gjermeni Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Lefter Koka Ministër i Mjedisit
Edmond Haxhinasto Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
Mirela Kumbaro Ministre e Kulturës
Mimi Kodheli Ministre e Mbrojtjes
Zyhdi Dajti Kryeinspektor i Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar
Artan Lame Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit,Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale
Artan Dida Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit
http://www.panorama.com.al/2013/10/12/ndertimorja-rama-i-rrit-kompetencat-ja-objektet-qe-shemben/





