Tirana bëri maksimumin në ndeshjen e djeshme të Ligës së Kampionëve përballë Cërvena Zvezdës, por fati nuk ishte në anën e kampionëve të Shqipërisë, duke u mposhtur me rezultatin 0-1.

Bardheblutë e drejtuar nga Emanuel Egbo shpërdoruan shumë, teksa u ndëshkuan nga një gol me kokë pas një goditje këndi dhe në këtë formë detyrohen t’i japin lamtumirën kompeticionit më të rëndësishëm, për t’u zhvendosur tashmë në Ligën e Europës.

Ndërkohë, të shumta kanë qenë mesazhet pas ndeshjes për Tiranën, duke qenë se kryeqytetasit zhvilluan një lojë të bukur. Nuk mungoi as mesazhi i presidentit të FSHF, Armando Duka i cili theksoi se Tirana nderoi futbollin shqiptar.

“Tirana, skuadra që nderoi futbollin shqiptar dhe luajti me dinjitet deri në çastet e fundit, u largua nga UEFA Champions League. Ky përfaqësim dinjitoz i kampionëve të Shqipërisë, pavarësisht dëshirave dhe shanseve deri në çastet e fundit, nuk u kurorëzua me kualifikim. Por kjo nuk duhet ta zhgënjejë familjen bardheblu. Forca Tirana! Europa League është një tjetër mundësi. Një tjetër mundësi! Sfida europiane vazhdon!”, ishte mesazhi i Dukës.