Përpara ndeshjes së bamirësisë që do ndihmojë të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar, ish-futbollistët, yjet e së shkuarës së kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë prekën nga afër vuajtjet dhe dhimbjen që shkaktoi tragjedia natyrore. Vizita e tyre e parë ishte në Bubq. Në fillim u ndalën në qendrën vullnetare që prej më shumë se 40 ditësh i vjen në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.

Më pas, delegacionet panë nga afër disa prej shtëpivë të shpallura të pabanuara, ku u njohë me vështirësitë që përballen njerëzit. Ndeshja e bamirësisë “Luajmë dhe ndërtojmë së bashku” ka bërë bashkë rivalë të dikurshëm në fushën e lojës, ndërsa qëllimi është i njëjtë.

“Është e trishtueshme. Ne mundohemi të bëjmë sado pak. Nuk mund të bëjmë më shumë sesa të luajmë një ndeshje futbolli për të kthyer qoftë edhe buzëqeshjen tek këta njerëz”,- ka thënë ish-futbollisti dhe trajneri italian Gigi Di Biagio.

“Ndodhemi këtu si ish-futbollistë, por përfaqësojmë edhe popullin turk. Duam të shprehim të gjithë solidaritetin dhe të tregojmë se ndodhemi gjithmonë pranë popullit shqiptar”,- ishin fjalët e ish-portierit të Turqisë, Rustu. Pas Bubqit, delegacionet e katër kombëtareve vizituan edhe Thumanën, e cila ishte dhe një nga zonat më të prekura të tërmetit të 26 nëntorit.