Për ndeshjen e braktisur ndaj Teutës, gjysmëfinalen e tretë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj, Vllaznia ka reaguar me anë të një deklarate në faqen e klubit në rrjetet sociale. “Ndeshja Vllaznia-Teuta u ndërpre nga një ngjarje kritike, e pa rregullt dhe e pazakontë. Edhe pse Teuta udhëhoqi 47-40 pas dy periodave të para, tri pikët e tyre të shënuara para zhurmës së sirenës, në fund të periodës së dytë, ndodhën nën një problem teknik të tabelës elektronike. E paraqitëm menjëherë këtë përpara zyrtarëve të ndeshjes dhe pritëm për 30 minuta për të zgjidhur çështjen sipas rregullores zyrtare të FSHB-së.
Kemi bindjen dhe prova faktike të qarta për të dy shkallët e problemit, goditjen e pa rregullt dhe orën e lojës jashtë funksionit automatik, të cilat do t’i paraqesim pranë autoriteteve përkatëse. Gjithashtu ndjejmë keqardhje për rrjedhën e ndeshjes për tifozët shkodranë, të cilët kishin udhëtuar për të mbështetur ekipin në këtë sfidë dhe gjejmë rastin t’i falënderojmë secilin prej tyre. ‘Fair play’ është i domosdoshëm në sport dhe presim hetim dhe vendim të përshtatshëm për të mbrojtur integritetin e lojës se rregullt të basketbollit në Shqipëri”, shkruan Shoqata e Basketbollit Vllaznia në reagimin e bërë në rrjetet sociale.
Kapiteni i Teutës, Kristi Gorea, u shfaq shumë i habitur me vendimin e Vllaznisë për t’u tërhequr nga ndeshja, teksa e komentoi kështu atë që ndodhi dje në pallatin e sportit “Ramazan Njala”:“Nuk e di çfarë ndodh në këto situata, por kam besim se drejtësia do të vendoset në vend dhe shpresojmë që ta përfundojmë këtë ndeshje, sepse Teuta do që t’i fitojë ndeshjet në parket, pasi nuk i druhet asnjë skuadre. Ndeshjen e kishim përgatitur me shumë seriozitet gjatë të gjithë këtyre ditëve dhe ekipi e filloi lojën mjaft mirë.
Në periodën e dytë patëm pak probleme, kjo edhe pak nga lodhja dhe nga rotacioni i shkurtër që ka ekipi. Më pas në fundin e periodës së dytë, një 3-pikësh në sekondën e fundit nga Memçaj u kontestua për shkak të problemeve të sirenës së kohës në tabelën e pikëve dhe ekipi i Vllaznisë vendosi që të tërhiqet nga gara. Tani të shikojmë se çfarë do të vendosë Komisioni i Disiplinës. Deri më sot nuk ka ndodhur ndonjëherë ndonjë situatë e tillë, që një ekip të braktisë ndeshjen për këto situata”, deklaroi Kristi Gorea.