Mançester Siti debutoi me një fitore të thellë 0-5 në Premier League teksa mposhti në transfertë skuadrën e Uest Hem. Ndërkohë, nga ky sezon tashmë edhe në Angli do të aplikohet sistemi VAR.

Dhe në takimin e parë të ‘qytetarëve’ iu anuloi një gol pikërisht prej VAR-it, teksa siç dihet për të rishikuar pamjet e aksionit nevojiten disa minuta, të cilat nga trajneri Pep Guardiola cilësohen si të rrezikshme pasi vrasin pasionin jo vetëm të futbollistëve por edhe tifozëve në stadium.

“Ndoshta prej VAR, intensiteti dhe pasioni do të largohen. Sepse ndryshojnë dinamikat, jo vetëm për futbollistët por edhe për spektatorët. Por, duhet të tregohemi të qetë dhe të fortë. Mbase në të ardhmen, vendimet do të përmirësohen dhe do të jenë më të shpejta”, tha Guardiola.

Ndërkaq, tekniku pranoi se asnjë vendim nuk do të jetë më i dhimbshëm se ai që i nxori jashtë çerekfinales me Totenhemin, kur Sterling iu anulua një gol në minutën e 95.