DURRES, 14 shkurt 2013 – Ndonëse na ndajnë edhe dy ditë nga përballja Teuta-Luftëtari, me deklarata ajo ka nisur. Mbrojtësi i Teutës, Arjan Sheta, ka deklaruar se gjirokastritët nuk kanë shans të dalin me pikë nga “Niko Dovana”, ditën e shtunë.
Sheta theksoi se nuk do të kenë mëshirë ndaj gjirokastritëve, duke u “hakmarrë” në një farë mënyre për ndeshjen e vajtjes, ku durrsakët pësuan një humbje të dyfishtë. Teuta u mund në Gjirokastër me rezultatin e thellë 4-1, humbje kjo që i kushtoi postin teknikut Hasan Lika, i cili u shkarkua menjëherë në fund të ndeshjes.
“Po e presim me padurim sfidën ndaj Luftëtarit, ku do të kërkojmë vetëm fitore, pasi çdo rezultat tjetër për ne do të ishte dështim. Gjirokastritët na mundën thellë gjatë fazës së parë me rezultatin 4-1, por këtë radhë gjëra kënë ndryshuar. Ata luftojnë për mbijetesë, ndërkohë që ne jemi forcuar ndjeshëm dhe pretendojmë për titull kampion. Kemi një diferencë të madhe mes skuadrave dhe do të përpiqemi ta shfrytëzojmë këtë fakt”,- pohoi fillimisht mbrojtësi, ndërsa nuk la pa komentuar edhe hapin e gabuar të Skënderbeut.
Sheta tha se gjatë fazës përgatitore, por edhe ditët e fundit, skuadra e Teutës është forcuar dhe kosoliduar ndjeshëm, ndërsa nënvizoi se duhet akoma më shumë punë për ta arritur në perfeksion.
“Teuta nuk është më ajo skuadër e fazës së parë, sepse tashmë jemi më të fortë dhe më të kosoliduar si ekip. Kjo u pa edhe gjatë ndeshjes me Shkumbinin, ku skuadra u tregua shumë e matur dhe nuk bëri gabime, ndërsa mori edhe një fitore të merituar. Fitorja ndaj Shkumbinit në shtëpi, ka hapur rrugën e suksesit, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë me këtë ritëm. Jemi shumë të kënaqur nga ajo çka morëm në këtë ndeshje, sepse ishte një fitore e dyfishtë: ku jo vetëm që skuadra u rikthye tek rezultatet pozitive, të cilat i mungonin prej kohësh, por humbja e Skënderbeut e ka zbukuruar edhe më tepër triumfin ndaj Shkumbinit”, përfundoi mbrojtësi, i cili prej më shumë se dy sezonesh në radhët e Teutës dhe është kthyer në një nga pikat kryesore tek “djemtë e detit”.