Ndeshja e Kombëtares shqiptare ndaj Andorrës nuk solli thjesht tre pikët e radhës, por edhe një sërë momentesh të veçanta që e bënë atë qendër të vëmendjes. Nga protesta e tifozëve, statistika rekord, e deri te rikthimi i Uzunit te goli dhe dopieta e parë e Manajt me fanellën kuqezi, kjo sfidë ishte e mbushur me ngjarje të veçanta.
Protesta e tifozëve
Përpara ndeshjes, një grup tifozësh protestuan para Federatës Shqiptare të Futbollit, të pakënaqur për mosrezervimin e biletave në sektorin e tyre tradicional. Edhe pse fillimisht nuk u siguruan biletat e dëshiruara, ata u futën në stadium dhe ndoqën modelin e protestës së përdorur nga tifozët e Milanit, duke braktisur sektorin e tyre për 15 minuta përpara se të riktheheshin.
Frekuentimi i ulët i stadiumit
Në epokën Silvinjo, tifozët kanë mbushur çdo ndeshje “Arenën Kombëtare”, por këtë herë pati një ndryshim. Tribuna përballë, sidomos kati i parë, nuk ishte i mbushur plot, me shumë vende bosh, për shkak të çmimit të lartë të biletave (10 mijë lekë të rinj).
Statistikat rekord
Shqipëria dominoi totalisht ndeshjen, duke regjistruar 85% mbajtje të topit, një rekord për kuqezinjtë. Për më tepër, Andorra nuk arriti asnjë goditje në portë apo jashtë saj, një situatë që nuk ndodhte për Shqipërinë që nga fitorja 5-0 ndaj San Marinos në 2021.
Momente të veçanta
• Myrto Uzuni u rikthye te goli me Kombëtaren pas më shumë se një viti e gjysmë. Sulmuesi i Granadës, që ka realizuar 48 gola me klubet e tij gjatë kësaj periudhe, më në fund gjeti rrugën e rrjetës me Shqipërinë.
• Rei Manaj shënoi dopietën e tij të parë me fanellën kuqezi, duke konfirmuar prirjen e tij për të shënuar kundër ekipeve modeste.
“Arena Kombëtare” në një tjetër nivel
Një nga risitë më të dukshme ishte vendosja e një ekrani LED rreth 80 metra mbi katin e dytë të tribunës përballë, ku shfaqeshin sponsorët e FSHF-së. Së bashku me ekranet e mëdha për VAR-in dhe përsëritjen e aksioneve, stadiumi dha ndjesinë e një impianti modern europian.
Tani të gjithë sytë janë nga ndeshja më e rëndësishme e grupit, përballja me Serbinë, dhe dilema se cilët do të jenë 11 lojtarët që do të zbresin në fushë për këtë sfidë vendimtare.