Javët e fundit, në kategorinë superiore është krijuar një situatë jo e këndshme ku në qendër të vëmendjes kanë qenë arbirtrat.Nuk kanë qenë të paktë ata që kanë bërë gabime, duke ndikuar edhe në rezultatin e sfidave në disa raste. Një gjendje kjo që ka shtyrë Federatën Shqiptare të ndërmarrë edhe masa ndaj klasës arbitrare. Megjithatë, këto vendime duket se nuk kanë kënaqur plotësisht klubin e Partizanit, që në prag të ndeshjes me Kukësin ka dalë me një deklaratë për shtyp ku përsëriti kërkesën që kjo sfidë të gjykohet nga arbitra të huaj.
Klubi kryeqytetas thekson se kjo kërkesë është bërë në bazë të rregullores së FSHF-së, pasi sfida me Kukësin mund të quhet e veçantë. Në të njëjtën kohë, Partizani deklaroi se është gati të marrë përsipër çdo shpenzim që do të kërkohet për të mundësuar një gjë të tillë. Në deklaratën e publikuar, drejtuesit e të kuqve shprehën besimin se FSHF këtë radhë do të krijojë ambientin e duhur për të larguar çdo hije paragjykimi për sfidën me skuadrën e Kukësit, duke qenë së ajo mund të përcaktojë jo pak në luftën për titullin kampion të vendit.