Për Teutën, ka vetëm një mënyrë që të harrojë zhgënjimin e barazimit në ndeshjen e fundit, të fitojë menjëherë ndaj Partizanit të dielën në kampionat. Është një betejë e vështirë, teksa ekipi tanimë duhet të jetë i fokusuar që të arrijë të përballet në mënyrën e duhur që nga fillimi. Barazimi ndaj Elbasanit ishte i dhimbshëm për të gjithë lojtarët, por në Durrës tashmë besojnë se do ta kthejnë ekipin në rrugën e duhur. Mes situatës së vështirë psikologjike dhe të komplikuar prej “etheve” të rënies, ja edhe lajme të mira. Arsid Kruja pritet të jetë i disponueshëm.

Mbrojtësi ka rifilluar punën, pas një problemi muskulor dhe stafi teknik po punon që ta kthejë në kushtet më të mira fizike dhe atletike. Ai ka nisur vrapimet, por sigurisht që kërkohet durim deri sa të vijë në 100%-shin e tij. Duket shumë e vështirë të startojë kundër Partzizanit, por në stol pritet të jetë. Rikthimi tjetër është Lloci, që gjithashtu ka kaluar dëmtimin dhe nuk do të ishte çudi ta niste nga minuta e parë. Mesfushori konsiderohet lojtar kyç për durrsakët dhe rikthimi i tij është lajm i madh për trajnerin Hodo. Ky i fundit, në takimin që ka pasur me lojtarët para seancës së djeshme stërvitore, ka biseduar me ekipin për të vlerësuar në maksimum këtë ndeshje ndaj “Demave”.

Të gjithë lojtarët e kanë në mendje që nuk duhet asnjë nënvlerësim në këtë ndeshje dhe duhet të tregojnë se kan potencial dhe jan në gjendje të bëjmë shumë. Blutë kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, ku taktika dhe shpjegimet në fushë nga Hodo kanë zënë një vend të rëndësishëm. Pas një vrapi të lehtë lojtarët filluan me ushtrime atletike. Më pas u angazhuan me lojëra me vetëm dy takime dhe sigurisht dy prej tyre në mes për të fituar topin. Në fund Hodo i vendosi lojtarët të zhvillonin një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë.