Mbrëmja e sotme ku do të luhet ndeshja “Shqipëri – Ishujt Faroe”, në stadiumin “Air Albania”, është padyshim një mbrëmje festive për të gjithë shqiptarët.
Policia e Shtetit në një njoftim për mediat bën me dije se ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktivitetit sportiv, me qëllim që atmosfera festive e kësaj mbrëmjeje të mos venitet nga ndonjë incident.
Uniformat blu apelojnë për tifozët, sportdashësit dhe të gjithë qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e Policisë, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare.
Gjithashtu, Policia ka marrë të gjitha masat edhe për festimet që do të zhvillohen pas ndeshjes, në sheshe, lokale dhe në rrugët e vendit, prandaj kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, që të festojnë në mënyrë të kulturuar, që ta vulosim këtë fitore të kombëtares sonë, me vulën e imazhit më pozitiv të vendit.