9 gusht 2015 – Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije të gjithë sportdashësit se ka filluar shitja e biletave online për ndeshjen Shqipëri-Portugali e planifikuar për t’u zhvilluar mbrëmjen e 7 shtatorit në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërkaq pikat e shitjes fizike të biletave do të aktivizohen në ditët e ardhshme.
Biletat mund të blihen në linkun “Biletaria Online”. FSHF njofton të gjithë sportdashësit se stadiumi “Elbasan Arena” është i pajisur me sistemin elektronik të kontrollit të biletave, dhe biletat e prodhuara enkas për këtë ndeshje kanë elemente sigurie të një niveli më të lartë, të dukshëm dhe të padukshëm me sy të lirë.
FSHF këshillon të gjithë sportdashësit e interesuar t’i blejnë biletat vetëm në pikat zyrtare të shitjeve, të autorizuara nga vetë ajo. E vetmja mënyrë për t’u siguruar nëse biletat janë të rregullta është kontrolli elektronik i tyre nëpërmjet pajisjeve të instaluara në çdo hyrje të stadiumit.
Këto janë masa që FSHF-ja ndërmerr në mbrojtje të të gjithë sportdashësve që duan ta ndjekin live në stadium ndeshjen dhe për t’i prerë rrugën të gjithë abuzuesve të mundshëm.
Ndërkohë çmtmi i biletave varion nga 1000 lekë deri në 10 000 lekë, në varësi të pozicionit nga ku do të ndiqet ndeshja.
/M.F. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/