Një ndeshje bamirësie për të mbledhur para për pacientët me sëmundje tumorale të Spitalit Rajonal Durrës. Kjo ishte nisma e ndërmarrë nga studentë të degës Komunikim dhe Marketing Digjital në UAMD, e cila u konkretizua pasditen e së enjtes në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër Kancerit.
Studentja Blerta Zogu, organizatorja e ndeshjes së volejbollit për femra mes ekipeve “Teuta” dhe “UAMD” rrëfeu për “DurrësLajm” si lindi kjo nismë e bukur, që ka për qëllim t’u vijë në ndihmë pacientëve të sëmurë rëndë.
“Ideja lindi pasi mësuam se një në katër familje shqiptare vuan nga sëmundjet tumorale. Menduam që me këtë ndeshje bamirësie të mblidhnim fonde, sepse nga biseda me doktoreshë Manjola Luzin mësuam për nevojat e të sëmurëve dhe kjo ishte mënyra më e mirë për t’u ardhur sadopak në ndihmë”,- tha studentja Zogu..
Ndërsa volejbollistja Marsida Luli, pjesë e ekipit të UAMD-së, u shpreh e lumtur që u bë pjesë e kësaj nisme bamirësie.
Shefja e klinikës së onkologjisë në Spitalin Rajonal Durrës, Manjola Luzi, shprehu falenderimet e saj për këtë iniciativë të studentëve, ndërsa theksoi se tashmë është përcaktuar edhe sesi do të shpenzohen këto para.
“Kur niset kjo gjë nga të rinjtë është një gjë që të emocionon pa fund. Me fondet që do të gumbullohen kemi menduar të blejmë disa medikamente, që mungojnë në spital. Ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për kondicionerë për ngrohjen e ambienteve”, – tha mjekja Luzi.
Ndeshja e bamirësisë është vetëm hapi i parë i studentëve të Fakultetit të Biznesit dhe pritet të pasohet nga të tjera iniciativa. Sinkron
4 shkurti është Dita Botërore e Luftës kundër Kancerit. Sëmundja e kancerit konsiderohet si një ndër 100 sëmundjet më të përhapura në popullatën globale.
M.B.