Teuta dhe Vllaznia e kanë mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen në Niko Dovana, me shkodranët të cilët ishin në udhëheqje të sfidës në pjesën më të madhe të kohës.

Mirëpo, në minutën e 98’ mbrojtësi Ivanovic ndëshkoi kuqeblutë që tashmë nuk fitojnë në kampionat prej gjashtë ndeshjesh radhazi.

Nga ana tjetër, Teuta merr një pikë të rëndësishme duke parë si shkoi ndeshja, megjithatë kampionët në fuqi të Superiores rrezikojnë të përfundojnë në Play-Out, pasi aktualisht janë vetëm dy pikë sipër Egnatias, ndërsa nga ana tjetër kuqeblutë janë në vendin e pestë, katër pikë larg Kukësit të vendit të tretë.

Ndërkaq, ndeshja pati shumë emocione, ndërsa nuk mungoi përfshirja e VAR në dy raste.

Sa i takon pjesës së parë, Vllaznia u shfaq më kërkuese me rastin e parë që u regjistrua në minutën e tetë kur Aralica godet me kokë, por nuk gjen kuadratin e Qirkos i cili ndër të tjera kishte gabuar në daljen e tij, ndërsa sërish kroati ka mundësi të artë, por këtë herë Qirko është i saktë dhe e ndal sulmuesin e shkodranëve.

Në vazhdim, Teuta kundërpërgjigjet me L.Vilën, por sulmuesi gjithsesi ishte në pozicion jashtë loje, ndërkohë që në minutën e 36-të, Hebaj nuk devijon në rrjetë një top të Jazxhi.

Në ekstremin e pjesës së parë, sërish L.Vila kishte një mundësi flagrante, mirëpo në fund sulmuesi gaboi dhe e dërgoi topin shumë larg kuadratit.

Në fraksionin e dytë, Vllaznia pretendon për një penallti mirëpo arbitri Bastari fillimisht ndal lojën për një pozicion jashtë loje të Adilit.

Por, pas ndërhyrjes së VAR akordohet penalltia, të cilën në minutën e 60-të e kthen në gol Liridon Latifi.

Në të 83-tën, Teuta ka një shans të artë për të barazuar, por porta e Zogovic mbetet e paprekur.

Sakaq, disa minuta më pas janë durrsakët që pretendojnë për një penallti pas një faulli ndaj Jazxhi.

Arbitri Bastari akordon goditje dënimi jashtë zone, ndërsa VAR ndërhyn.

Por, Bastari i qëndron vendimit të parë dhe akordon vetëm faull jashtë zone. Një minutë më pas, Heric kërkon të përfitojë nga porta e boshatisur pas daljes së Qirkos, megjithatë nuk ka koordinatat e duhura.

Kur dukej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e Vllaznisë, Teuta gjeti golin e barazimit me anë të mbrojtësit Ivanovic, ndërkohë që më pas nuk pati kohë për të ndryshuar fatet e takimit.