Teuta triumfon me rezultatin minimal 1-0 ndaj Kukësit dhe u jep verilindorëve një tjetër goditje, në ndeshjen dirkete për mbijetesë.
“Ish-i’ i Kukësit, Ergys Peposhi vendosi fatin e takimit me një penallti të ekzekutuar saktë në fillim të pjesës së dytë, me durrsakët që rritin kështu optimizmin për mbijetesën dhe verilindorët që pësojnë humbjen e 6 radhazi.
Në “Niko Dovana” u zhvillua një sfidë shumë e luftuar, teksa pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola. Në nisje të pjesës së dytë, durrsakët fituan një 11-metërsh, të cilin e mori përsipër ish-i i Kukësit, Ergys Peposhi.
Ky i fundit ekzekutoi saktë duke dërguar topin me tepër forcë në trekëndësh, aq sa sfera kaloi edhe rrjetën e përfundoi larg saj, duke shkaktuar edhe pak ilaritet.
Verilindorët provuan të reagojnë dhe gjetën golin e barazimit me anë të Solodovnikov, por pas ndërhyrjes së VAR-it, gjithçka u anulua për një pozicion jashtë loje të Salamit në nisje të aksionit.
Minutat e fundit ishin vërtetë të luftuara dhe dramatike, megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar dhe Teuta mori një 3-pikësh shprese, duke konsoliduar pozitat në vendin e 8 me 24 pikë.
Nga ana tjetër Kukësi mbetet në vendin e fundit me 19 pikë dhe fundjavën e ardhshme e pret nëj tjetër ndeshje vendimtare për mbijetesën, ajo ndaj Erzenit.
Kukësi nuk fiton që më 27 tetor, kur mposhtte Vllazninë me rezultatin minimal 1-0, teksa që së fundi numëron edhe 6 humbje radhazi, që e kanë zhytur në fundin e renditjes dhe e kanë gjithnjë e më pranë rënies në Kategorinë e parë.