Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, i ka quajtur sulmet e Iranit ndaj shteteve të Gjirit një “gabim të rrezikshëm”, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve rrezikon destabilizimin e rajonit dhe shkaktimin e përçarjes në ekonominë globale.

Në një intervistë për Sky News, ai u shpreh se sulmet kanë krijuar një ndjenjë të fortë zhgënjimi dhe tradhtie në vendet e Gjirit.

“Është një ndjenjë e madhe tradhtie. Vetëm një orë pasi nisi lufta, Katari dhe vende të tjera të Gjirit u sulmuan. Ne e kishim bërë të qartë se nuk do të merrnim pjesë në asnjë luftë kundër fqinjëve tanë,” deklaroi ai.

Al Thani theksoi se sulmet ndaj vendeve të Gjirit ishin të papritura, sidomos duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Katarit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Iranin.

“Nuk e prisnim kurrë këtë nga fqinji ynë. Gjithmonë jemi përpjekur të mbajmë marrëdhënie të mira me Iranin, por justifikimet dhe pretekstet që po përdoren janë krejtësisht të papranueshme,” tha ai.

Megjithatë, pavarësisht dënimit të sulmeve, kryeministri i Katarit theksoi se përshkallëzimi ushtarak vetëm sa do ta përkeqësojë krizën dhe se të gjitha palët duhet të tregojnë përgjegjësi për të ulur tensionet.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë uljen e përshkallëzimit. Ata janë fqinjët tanë, ky është fati ynë,” u shpreh ai.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të Tehran se sulmet kishin në shënjestër vetëm objektiva ushtarake, Al Thani deklaroi se një pjesë e konsiderueshme e goditjeve kanë prekur edhe infrastrukturë civile.

“Rreth 25% e sulmeve kanë në shënjestër objekte civile. Çfarë lidhjeje ka kjo me luftën? Çfarë synojnë të arrijnë?” shtoi ai.