Nëse po kaloni një periudhë ku ndiheni të plogësht, pa vullnet, të dëshpëruar apo thjesht “jashtë vetes”, shkaku mund të mos jetë vetëm stresi apo lodhja. Një studim i fundit nga Universiteti Emory zbulon se inflamacioni në trup – edhe në nivele të ulëta dhe kronike – mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën si funksionon truri ynë, sidomos për sa i përket motivimit dhe humorit.

Sipas profesorit të psikologjisë Michael Treadway, inflamacioni saboton lirimin e dopaminës – një nga neurotransmetuesit kryesorë që na jep ndjesinë e kënaqësisë dhe energjisë për të vepruar. “Trupi ul qëllimisht prodhimin e dopaminës që të kursejë energjinë për procesin e shërimit. Por kjo ka si efekt anësor një rënie të madhe në motivim dhe mirëqenie mendore,” shpjegon ai.

Në fjalë të thjeshta, sa më shumë inflamacion në trup – aq më pak dopaminë në tru. Dhe kjo përkthehet në mungesë dëshire për të ushtruar, për të shkuar në punë, madje edhe për të kryer aktivitete që më parë ju bënin të ndiheshit mirë.

Simptomat nuk janë gjithmonë të qarta: lodhje, dhimbje koke, shtim në peshë, probleme me lëkurën, alergji, apo thjesht një ndjesi e përgjithshme pa qartësi emocionale. Të gjitha mund të jenë sinjale të inflamacionit që po ndikon edhe në shëndetin mendor.

Ky zbulim hap një kapitull të ri në mënyrën se si e kuptojmë depresionin dhe çrregullime të tjera emocionale. Siç thotë edhe bashkautori i studimit, prof. Andrew Myller: “Nëse inflamacioni është një faktor kyç, atëherë mund të shkojmë drejt një trajtimi më efektiv për miliona njerëz që përballen me vështirësi të tilla.”