Është ora 6 e mëngjesit, alarmi juaj bie, por është ende errësirë jashtë. Ky është realiteti për shumë prej nesh, ndërsa ditët bëhen më të shkurtra dhe vjeshta po afron. Edhe pse mund të flemë të njëjtat orë si në muajt e verës, ka një arsye pse zgjimi në vjeshtë bëhet edhe më i vështirë.

Sipas ekspertit të gjumit dhe zëvendësCEO i The Sleep Charity, Lisa Artis, biologjia jonë punon kundër nesh.

“Në vjeshtë po errësohet më shpejt, që do të thotë se melatonin (hormoni i gjumit) prodhohet më herët dhe na bën të ndihemi të përgjumur”, thotë ajo.

Gjithashtu edhe në mëngjes është më errësirë, gjë që mban nivelet tona të melatoninës të larta, që do të thotë se ndihemi të përgjumur gjatë gjithë ditës. Drita natyrale ju bën të ndiheni më energjikë dhe i sinjalizon orës së brendshme të trupit se është koha për t’u zgjuar dhe për të ndaluar prodhimin e melatoninës.

Nëse keni vështirësi të ngriheni në mëngjes, Lisa sugjeron ta poziciononi alarmin tuaj larg, të ndizni dritat menjëherë pasi të zgjoheni dhe të bëni një dush të ftohtë.

Lisa Marley, nutricioniste thotë se errësira mund të prishë ritmin tonë cirkadian (ora e brendshme e trupit) dhe ekspozimi më i ulët ndaj dritës së diellit mund të zvogëlojë nivelet tona të vitaminës D, duke ndikuar në energjinë tonë.

“Për t’u ndjerë më energjike, fokusohuni në një dietë të ekuilibruar të pasur me fruta, perime, drithëra, proteina dhe yndyrna të shëndetshme”, thotë ajo.

Sigurohuni që të merrni mjaftueshëm vitaminë D dhe të pini mjaftueshëm ujë pasi hidratimi mund të luftojë lodhjen.

“Kajsitë e thata janë një zgjedhje e shkëlqyer për energji, pasi ato janë një burim i shkëlqyer hekuri. Bananet janë të pasura me kalium dhe karbohidrate komplekse. Ata janë një nxitës i menjëhershëm i energjisë”, shton më tej nutricionistja.

Gjithashtu ia vlen të bëni një test gjaku për të kontrolluar nivelet tuaja të hekurit dhe vitaminës D, për të parë nëse keni nevojë për suplemente.

Është koha për të kontrolluar rutinën tuaj, pasi dimri është gati për të kafshuar.