Itali, 12 maj 2014– Nuk ka mundur të mbijetojë 15 vjeçari Orges Mema, i cili u godit nga infarkti gjatë mëngjesit të së shtunës, ndërsa ishte duke frekuentuar orën e fiskulturës.

Zemra e tij pushoi së rrahuri mëngjesin e së dielës, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale delikate. Djali shqiptar, që banonte prej vitesh në Itali, ishte shtruar në spitalin e Udines.

Ndërsa frekuentonte shkollën Sarpi di San Vito, Orgesi ishte aktivizuar në ekipin e futbollit të të rinjve të Fiume Veneto-s. Sipas mjekëve, vdekja e të riut shqiptar është shkaktuar nga një virus misterioz.

Orges Mema jetonte në Itali së bashku me prindërit dhe vëllain e tij. Vdekja e tij ka shokuar shokët e shkollës, që në rrjetin social Facebook kanë shprehur gjithë dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta të mikut të tyre në moshë kaq të re.

Orgesi përshkruhet nga shokët e tij si një djalë mjaft pozitiv, shumë i dashur, dhe prej kohësh kishte nisur të imponohej si udhëheqësi i klasës së tij.  

Bashkë me shokët e 15 vjeçarit ka shprehur dhimbjen e tij edhe drejtori i shkollës që frekuentonte Orgesi.

“Një djalë shumë energjik dhe zemërgjerë, që dinte të krijonte menjëherë miqësi”,- është shprehur drejtori Pier Vincenzo Diterlizzi.

Pasioni më i madh i Orgesi ishte futbolli. Ai ishte tifoz i Juventusit, ndërkohë që luante me të rinjtë e ekipit të qytezës ku banonte. Në shenjë nderimi për shokun e tyre të ekipit, futbollistët do të luajnë në ndeshjen e rradhës me shiritin e zi në krah.   

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/