Qendra e Ndihmës Ligjore Falas në Gjykatën e Durrësit, prej muajit shtator të vitit 2017 ofron ndihmë juridike për individët në nevojë në këtë qytet.

Dy avokatet e QNL-së, Alketa Kajmaku dhe Sonila Shehu, të specializuara në fushën e të drejtave të njeriut, ofrojnë këshillime e përfaqësime falas për atë kategori personash që e përfitojnë.

Av.Alketa Kajmaku tregon ndër të tjera për "DurrësLajm" se pranë zyrës së Ndihmës Ligjore Falas janë trajtuar rreth 750 raste për ndihmë parësore të cilët kanë marrë këshillime ligjore, si dhe 50 dosje për ndihmë gjyqësore.

Sipas avokates, çështjet që trajtojnë janë të ndryshme, si ato civile, administrative, penale e familjare si dhe nuk mungojnë rastet e pensionistëve të cilët hasin probleme me DRSS-në, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Durrës.                                                                                                 

Në Durrës çështjet familjare, konkretisht zgjidhja e martesës është një ndër rastet me trend në rritje, e ndjekur nga çështja e pensionistëve.

Av.Sonila Shehu u shpreh se QNL ka paraqitur kërkesën pranë institucioneve të tjera të Durrësit që të orientojnë pranë zyrës rastet me nevojë juridike, në mënyrë që të bëjnë mbrojtjen sa më efikase të tyre.

G.D.