Një 43-vjeçar ka humbur jetën gjatë një arrestimi nga policia në Bolonjë, Itali, duke shkaktuar reagime dhe protesta në qytet.

Ngjarja ndodhi në lagjen Pilastro, ku Abderrahim Fakir u ndalua nga efektivët pas një telefonate në numrin e emergjencës për një person që po sillej në mënyrë të pazakontë.

Policia mbërriti në vendngjarje dhe tentoi ta qetësonte autorin. Pas përplasjes me efektivët, ai u shtri përtokë dhe u prangos. Pamjet e filmuara nga një banor tregojnë momentet kur 43-vjeçari mbahej me fytyrë përtokë nga policia. Në video dëgjohen britmat e tij: “Ndihmë, mjaft!”.

Familjarët e viktimës kanë ngritur akuza ndaj policisë dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Dua drejtësi. Nuk mund të vdesësh kështu”, është shprehur motra e tij, duke akuzuar efektivët se nuk i kanë dhënë ndihmën e nevojshme.

Sipas familjarëve, 43-vjeçari vuante nga probleme shëndetësore, përfshirë edhe astmën.

Pas ngjarjes, në zonën e Pilastros u zhvillua një protestë ku morën pjesë rreth 300 persona, ndërsa pati thirrje kundër policisë.

Prokuroria italiane ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Janë sekuestruar pamjet filmike dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.