Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit pasi ka tentuar të kalojë ilegalisht një 19-vjeçar në kufi, duke përdorur dokumente false.

Në pranga është vendosur shtetasi Sh.H. 31 vjeç banues në Kosovë, ndërsa ka nisur hetimi dhe për 19-vjeçarin H.Sh.

“Specialistët per Hetimin e Trafiqeve të Paligjshëm të DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasin Sh. H., 31 vjeç, banues në Kosovë, pasi duke përdorur mjet identifikimi fals, ka ndihmuar shtetasin H. Sh., 19 vjeç, banues në Kosovë, i cili tentoi të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme. Në vijim të veprimeve u referuan materialet, si dhe filloi procedimi në gjendje të lirë edhe për 19-vjeçarin.”, njofton policia.

Po nga këto struktura u arrestua shtetasi Z. H., 26 vjeç, banues në Kosovë, pasi gjatë kontollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike heroinë.