Sekretari Antony Blinken vazhdoi të enjten vizitën në Ukrainë, ndërsa Rusia vazhdoi sulmet ajrore ndaj saj. Një ditë pasi njoftoi për një ndihmë të re prej 1 miliardë dollarësh, kryediplomati amerikan u shpreh gjithashtu optimist se administrata e Presidentit Biden do të sigurojë vazhdimin e përkrahjes së Uashingtonit për Kievin.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë Ukrainën jo vetëm që t’i mbijetojë agresionit rus, por dhe të lulëzojë si shtet. Zoti Blinken njoftoi një ndihmë shtesë prej 1 miliard dollarësh nga SHBA për Ukrainën.

Sekretari Blinken u takua të enjten me zyrtarë ushtarakë ukrainas duke vëzhguar pajisjet ushtarake të cilat janë dhuruar nga Uashingtoni.

“Ne e çmojmë dhe vlerësojmë shumë guximin dhe fuqinë e forcave kufitare, si dhe të policisë kombëtare dhe jam shumë krenar për faktin që Departamenti i Shtetit ka qenë partneri juaj i ngushtë”, tha zoti Blinken.

Ai vizitoi një bunker të përdorur nga ushtria në rajonin e Kievit.

Kjo është dita e dytë e vizitës së Sekretarit Blinken në Ukrainë. Një ditë më parë ai dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, vizituan një restaurant të firmës amerikane “McDonald’s” të rihapur së fundmi në Kiev.

Por pavarësisht përpjekjeve për të përcjellë një ndjenjë normaliteti, sulmet e intensifikuara ruse mbi Ukrainën që vazhduan gjatë gjithë vizitës së zotit Blinken, shërbejnë si një kujtesë e agresonit të pandalshëm të Moskës. Ushtria ukrainase tha të enjten se ka shkatërruar 25 nga 33 dronët që Rusia përdori për të sulmuar rajonet Sumy dhe Odesa gjatë natës, gjatë të cilave të paktën një person është plagosur.

Pati gjithashtu sulme ajrore ruse në Kiev vetëm tre orë përpara se zoti Blinken të mbërrinte me tren nga Polonia.

Por sulmi më i rëndë të mërkurën ishte ai ndaj një tregu në qytetin lindor të Kostian-tyn-ivkas gjatë të cilit u vranë 17 veta, përfshirë edhe një fëmijë dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.

“Dje, ne pamë bombardimin e një tregu, 17 njerëz ose më shumë të vrarë, shumë të tjerë të plagosur. Për çfarë sulmohet një treg? Kjo është ajo që ukrainasit po jetojnë çdo ditë”, tha zoti Blinken.

Zoti Blinken gjithashtu u shpreh optimist që administrata e presidentit Biden do të arrijë të ruajë përkrahjen për Ukrainën edhe në Uashington.

Në Kapitol, senatori republikan Bill Hagerty u tha gazetarëve se do të dëshironte të shihte më shumë mbështetje nga aleatët e SHBA-së për Ukrainën.

“Do të doja të shihja një njoftim nga të gjithë anëtarët e NATO-s, duke thënë se ata janë të gatshëm të rrisin përkrahjen. Sapo u ktheva nga një udhëtim në Evropë dhe ne inkurajuam aleatët tanë të NATO-s që në fakt të rrisin përkrahjen e tyre dhe unë do të doja ta shihja këtë të ndodhte”, thotë Senatori republikan, Hagerty.

Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Por sipas Institutit Kiel, Danimarka, Estonina, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia, Norvegjia, Finlanda, Holanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Republika Çeke, po japin kontribute të mëdha financiare në Ukrainë, në raport me përmasat e ekonomisë së tyre./VOA