Tiranë, 11 korrik 2014 – Zëvendës sekretarja amerikane për Evropën dhe Euroazinë Victoria Nuland do të vizitojë nesër Shqipërinë ku do të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë. Lajmi per viziten e saj eshte konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. 

Mesohet se ne kuader te kesaj vizite Nuland do të takohet me përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe partive kryesore politike në Shqipëri, nderkohe qe ne qender te takimeve do te jene çështje të ndryshme dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë dhe integrimin euro-atlantik të vendit tonë në Bashkimin Europian. 

Vizita e saj në vendin tonë do të bëhet në kuadër të një turi disa ditor në Ballkan e më gjerë. Nuland do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në 13 korrik, ku do të diskutojë për dialogun mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit 

Ndalesa e parë do të jetë sot në Kroaci ku merr pjesë në Forumin e 9-të vjetorit të Kroacisë, ku do mbajë një fjalim edhe mbi Ballkanin perëndimor. Nuland do takohet me qeveritarë kroatë dhe liderë të rajonit që do jenë në konferencën për sigurinë rajonale e energjinë. 

Në kuadër të takimeve, përfshihen vizita në Maqedoni, Serbi, Belgjikë dhe Britaninë e Madhe. Në 14 korrik, Nuland do të udhëtojë drejt Shkupit, ku do të takohet me zyrtarë të lartë qeveritarë dhe krerët e partive. 

Zyrtarja e DASH, Nuland më pas do të vijojë vizitën në Londër, për t’u takuar me zyrtarët e lartë të qeverisë britanike ku do të diskutojë për çështjet globale dhe përgatitjet për Samitin e NATO, për ngjarjet e fundit në Ukrainë.