Ruzhdi Merja, ndihmësmjeku i dhunuar dje në spitalin “Nënë Tereza”, ka një plagë 3 centimetra në kokë, hematoma në trup e në fytyrë. Dje, pas goditjeve, është futur dy herë në sallë për të qepur plagën, pasi nuk i pushonte hemorragjia. I tronditur nga ajo që ndodhi, tregon se gjithçka ndodhi papritur e në vend të tij mund të kishte qenë cilido nga mjekët e spitalit. “Kjo është puna jonë, jemi çdo ditë të ekspozuar me jetë”, thotë Merja teksa shpjegon nga shtrati i reanimacionit për ngjarjen e rëndë.
Zoti Merja, mund të na thoni si rrodhën gjërat deri në momentin që u ushtrua dhunë ndaj jush?
Dy ditë më parë në spital kishim problem me dritat nga një avari në rrjet. Dje Drejtoria lëshoi një urdhër, që për shkak të shkëputjeve të energjisë, aparaturat e rëndësisë së veçantë, si rezonanca apo litotripi, që shkrin gurët në veshka, me të cilën punoj, të mos vendoseshin në punë, pasi mund të dëmtoheshim. Personi që më dhunoi kishte ardhur edhe dy ditë më parë dhe nuk i ishte bërë ndërhyrja. I kisha dhënë numrin e telefonit si çdo pacienti për ta ndihmuar, meqë nuk ishte nga Tirana. Sot në mëngjes erdhi, telefonoi dhe i shpjegova se me urdhër të Drejtorisë, aparatura nuk do të vendosej në punë. Në këtë moment, duke folur, më tha të dilja jashtë dhe unë dola në hyrje të klinikës së Urologjisë, te shkallët. Ai erdhi me vrap dhe në fillim më goditi me një send të fortë në kokë. Pastaj, bashkë me shokun që e shoqëronte, filluan të dy të më binin me karriget e thyera që janë në katin e parë. Kjo është e gjithë ngjarja.
A erdhi dikush t’ju ndihmonte?
Erdhën disa kolegë të mitë, pasi ata persona nuk po ndaleshin, pastaj roja. Mund të kishte shkuar edhe më keq se kaq. Jam munduar t’i shmangem duke ngjitur shkallët, ndërkohë që vazhdonin gjuajtjet edhe nga pas shpine.





