Karakteri paraqet organizimin e ndërlikuar psiqik të cilësive, gjendjeve dhe proceseve të shumëllojshme psiqike, të cilat pasqyrojnë sjelljen e personalitetit. Paraqet bërthamën psiqike të personalitetit. Fjala karakter vjen nga greqishtja, që do të thotë vulë ose symbol, sipas të cilës njeriu konkret dallohet prej të tjerëve. Karakteri pasqyron aspektin moral dhe të vullnetshëm të sjelljes së njeriut, prandaj thuhej që “karakteri është udhërrëfyesi i vullnetit, ndërsa vullneti është kurrizi i karakterit”. Karakteri nënkupton cilësinë e vullnetshme të njeriut dhe atë, kur paraqesim veprim të vetëdijshëm të tij, që janë në përputhje me parimet dhe botwkuptimet morale të shoqërisë në të cilën jetojmë. Për këtë arsye mund të themi se karakteri i përfshin dispozitat për të ashtuquajturën sjellje morale të njerëzve, ndërsa cilësitë e karakterit duhet të përfshijnë dhe motive, qëndrimet dhe vlerat e tij sociale. Zhvillimi i personalitetit paraqet para së gjithash procesin e formimit dhe zhvillimit të karakterit të tij. Te fëmija i vogël karakteri ende nuk është i formuar, mirëpo nën ndikimin e rrethit familjar fillojnë të paraqiten tiparet themelore të tij – kureshtja, qëndrueshmëria dhe disiplina, të cilat fillojnë të zhvillohen edhe më shumë me kontaktet e tij me mesin (çerdhen për fëmijë- ku zhvillohen kolektiviteti dhe shoqërimi). Në shkollë zhvillohen dijenitë dhe shprehitë mësohet qëndrimi ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj punës. Në moshë pak më të madhe mësohet qëndrimi ndaj vetes, ndërtohet vetëdisiplina dhe forcohen tiparet e karakterit nëpërmjet vetëedukimit, formohen interesat dhe qëndrimi duke krijuar idealet dhe ndjenjat morale të njeriut. Karakteri formohet gjatë procesit të të njohurit dhe veprimtarisë praktike të njeriut, ku rrethi konkret shoqëror dhe normat e parimet e caktuara shoqërore kanë rol vendimtar. Prandaj cilësitë e karakterit dallohen në atë të përgjithshme dhe ato individuale. Në jetë vihen re këto tipe karakteresh: Karaktere të forta dhe të dobëta, kontradiktorë dhe jokontradiktor, të përcaktuar dhe të papërcaktuar.

Iljaz Bajraktari: Janë ditët e para të shkollës dhe duke i uruar një vit sa më të mbarë shkollor të gjithë fëmijëve, rinisë dhe gjithë personelit arsimor durrsakë, po hap një temë për diskutim në “Forumi i Durrsakëve”. A ndikon shoqëria e viteve të shkollës në formimin e karakterit të çdo individi? Pra sa rëndësi ka rrethi shoqëror me të cilët shoqërohemi në vitet e shkollës, në formimin tonë.Mendova t’a hedh si temw, sepse shoqëria është pjesa më e bukur e jetës dhe më e rëndësishme për jetën e çdo personi. Normal që dhe familja ka rol parësor, por pjesën tjetër të kohës e kalojmë në shoqërinë e miqve dhe shokëve. Kjo temë përfshin të gjithë brezat në kohët respektive, por mendimi im është që ne duhet të kujdesemi për të tashmen dhe të ardhmen se e kaluara nuk kthehet më, mirë apo keq për secilin nga ne, ajo, e shkuara e ka lënë vulwn e saj. Sot çdo prind duhet të kujdeset për fëmijët dhe me njërin sy duhet të shikojë dhe shoqërinë e fëmijës së tij, përveç të tjerave.

Juli Hidri: Mendoj se po dhe pse ideja ime është se ështw familja dhe edukata e saj, që ndikon më shumë në formimin e karakterit të individit, por dhe shoqëria luan një rol shumë të rëndësishëm. Unë e ndjej veten shumë me fat, që kam pasur gjithmonë shokë dhe shoqe të mrekullueshëm në të gjitha etapat e jetës së shkollës dhe i ruaj ato marrëdhënie akoma. Janë pjesa më e bukur e kujtimeve.

Suela Gjikondi: Para një viti takova dikë, që kur i kishte fëmijët e vegjël, ishin shembull (dhoma e rregullt, të edukuar, lexonin etj), me dëshirë dhe aspak të detyruar. Shprehja që tha, kur i përmenda fëmijët model ishte: “harroji!”. I madhi nuk mësonte fare, kurse i vogli donte të ngelej në klasë (gjimnaz), sepse shokët e tij po rrezikonin të mos kalonin klasën.

Kujtim Gjoka: Këto ngjarje vijnë si rezultat, sepse shkolla nuk të siguron të ardhmen. Kur shkolla e dikurshme (aspak nuk duhet marrë shembull), të formonte që t’i shërbeje shoqërisë. Për kuriozitet bëni një hartim në klasën e katërt fillore, me temën: "Çfarë do të bëheni kur të rriteni?" Mijëra herë jam i sigurtë, se të gjithë si në kor do të përgjigjen: "Emigrant". Kurse unë kur isha në këtë moshë tek shkolla "16 Shtatori” kisha shkruar dëshirën: “Aviator si Juri Gagarin”. Shoqja ime e bankës kishte ëndërr të bëhej mësuese dhe e këtillë u bë Tovi, poete që ende shkruan poezi. Nuk po zgjatem, sepse shembuj ka plot. Ishte si ishte ajo shkollë (nuk e lavdëroj, sepse kishte ujë të tepërt) po këtu bëmw si bëmw, na e dha një çapë bukë të shijshme, sepse ishte e lagur me djersën e ballit. Unë nuk lavdëroj pedagogjinë "alla Makarenko", vetwm e prura si shembull për të krahasuar dhe reflektuar, sepse nuk dua të bëhem i vështirë për t’u kuptuar nëpërmjet terminologjive. Jo për mburrje, por unë 10 vjeç njihja veprën e Tomas Manit, Dikensit, Gollsuorthin, Pirandelon, Eseninin, Bllokun, Majakovskin, Trajzerin, Çehovin, nuk diskutohej letërsia e jonë. E vemë me bast, shpohem në hundë, se shumica e këtij brezi nuk e njohin si e ka emrin e vërtetë Asdreni, e jo më ta kenë lexuar. Kur isha 11 vjeç shkoja tek studio e skulptorit Sabri Tuçi dhe Zef Ujka, në shpirt më instaluan teknikën e skulpturës dhe si të "laparosja" telajon. Ju nuk e besoni, por unë më vonë mësova se si të shprehja "pikturën ide". Këto aktivitete më bënë të braktisja rrugët, që të mësonin rrugaçëritë dhe të mbartja veset e dobëta. Mos të flas pastaj për aktivitetet që organizonte Shtëpia e Pionerit. Po tregohem i sinqertë edhe pse vuajta në atë sistem, këto lloj aktivitetesh më bënw të "bukur". Dhe këtu ku jetoj jam i nderuar. Zoti Iliaz, më shqetëson mendimi kur shprehesh, njërin sy (nuk e di se cilin ke më të fortë) për të shikuar dhe fëmijën, se me cilin shoqërohet. Është shumë e rëndësishme, sidomos në periudhën e adoleshencës, që është dhe mosha ku njeriu formon karakterin e personalitetin e tij. Gjithsesi nuk është vetëm shoqëria e shkollës, por dhe një shoqëri e mirë jashtw saj, kryesisht me klasë punëtore siç quhej në atë kohë. Kishe ç’të mësoje, në fakt dhe më shumë, pasi ishin leksione praktike për jetën. Një preokupim më se i drejtë. Por mos harro se të gjitha nënat dhe baballarët duan që fëmijët e tyre, të bëhen "dikushi". Por gjithashtu mos harro, se në këto momente fëmijët e popullit tim të dashur, "jetojnë në një oqean rënie shoqërore"- morali është degdisur në "shtëpinë e jetimëve". Unë e kam bërë gjimnazin natën tek shkolla "Naim Frashëri". Edhe pse ishim të sfilitur nga puna, por sikur dhe përciptas fitova dije, të cilat nuk llogariten. E përsëris shkollë nate, “kur dhe kungulli që është kungull do diell të piqet ". Sa mu nevojit vizatimi teknik, që na jepte Halim Gjata tek shkolla mekanike dhe i jati i Suela Gjikondit, tek shkolla e kantjerit detar. Me këto dije i befasuam dhe të tjerët këtu në dhe të huaj. Rritëm fëmijët dhe u dhamë shkollë. Një kuriozitet: saldatorët e kantierit detar bënw figurë të bukur këtu në Itali. Kur fillova punë u bëra rrufjan, u thashë që kisha punuar në kantierin detar. Nuk më morën fare në prova edhe se unë nuk kisha punuar në këtë ndërmarrje. Nuk e harroj deri sa të vdes mësues Gjinin, kur përdorte të gjitha menyrat për të na dhënë të kuptonim rëndësinë që kishte shkolla, për t’i dhënë jetë (sadopak të bukur, sepse në fakt të bukura, janë vetëm kartolinat). Ai na përsëriste shpesh një shprehje të Hygoit: "Një shkollë e re e hapur, një burg i madh mbyllet ".

Edmond Fejzullai:Unë kam pasur fatin të jem në klasë me njerëz të mrekullueshëm, me shumë prej të cilëve komunikoj edhe sot. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, kur lidhemi unë flas lirshëm me ta, ashtu si atëherë. Më duket sikur jemi ndarë dje edhe pse kanë kaluar 33vjet. Pjesa më e madhe sot janë nëpër botë, por unë i kujtoj me mall, për faktin se ne ndikuam shumë në formimin e njëri-tjetrit. Lexonim shumë, qeshnim shumë, pjesa më e madhe edhe mësonte shumë, bënim teatër (dikush mori atë drejtim,  Xhevdet Ferri), luanim shumë, kishim shumë besim tek njëri-tjetri, sa guxonim të përflisnim edhe sistemin. E ruanim sekkretin dhe mbulonim njëri-tjetrin, në momentet më të vështira. Kur dikush kishte nevojë për shtëpinë time, unë i jepja çelësat. Ju betohem kështu bënin të gjithë (natyrisht çunat). Pa u zgjatur, ne u rritëm bashkë dhe u ndikuam shumë nga njëri-tjetri, pradaj them se shoqëria e shkollës ndikon shumë, absolutisht shumë, shpesh më shumë se familja. Leximi ishte aktiviteti më i rëndësishëm pas sportit. Ne nuk kishim internet, as disko. Një libër i verdhë p.sh ishte gjë e madhe, shëtiste dorë më dorë deri sa t’a lexonin të gjithë.

Alma Keta Oshafi: Tema është shumë komplekse, shumë e gjerë për diskutime, por ka dhe shumë faktorë shoqëria dhe jo vetëm do të shtoja unë. Jetojmë në një tranzicion të tejzgjatur, të lodhur me këtë term, por kështu është. Mbaj mend dikur se në dy raste tipike, nëna ime ka këmbëngulur që të mos shoqërohesha me ato shoqe që ajo nuk i pëlqente. Koha e vërtetoi sqë ajo kishte shumë të drejtë. Instikti i nënës për të mbrojtur si shqiponja zogjtë e saj, është i pashmangshëm. Duhet gjithashtu një FORCIM po e theksoj i ETIKËS dhe rolit që ka shkolla në shumë drejtime, por që kjo të ndodhë ka kaq shumë faktorë, nga të cilët varet ajo. Nuk dua të shfajësoj shkollën por kushtet e punës morale dhe materiale lënë shumë për të dëshiruar dhe sa herë ngrihet zëri, topi pasohet sa tek njëri pushtet (qendror) tek tjetri (lokal). Ja si dilet nga tema, sepse vetë kjo temë është kaq e gjerë. Por gjithsesi shoqëria ka rol, por dhe familja (NËNA) ka të bëjë shumë. Se siç thotë një fjalë e urtë: “Dardha bie nën Dardhë”.

Aneo Zhurka:Karakteri është si hija, me të cilën njerëzia identifikohet, por nuk është NJERIU. Çdo hije influencon hijet e tjera, deri sa ajo bëhet aq kompakte sa që askush nuk i kthen sytë nga dielli.Karakteri është shumica o, gati të gjitha eksperiencat e individit në raport me shoqërinë, si pjesëtar i shoqërisë, aktiv apo pasiv qoftë eksperienca e tij, por nuk është shuma (intero=individi). Pa më thoni, a ka njeri me karakter të qendrueshëm? Ka nga ato që nuk largohen nga bindjet e tyre, (të cilat janë edhe të ndryshueshme). Kush prej jush ka bërë një rezyme të jetës së tij dhe ka parë që shumë gjëra të "karakterit" i kanë ndryshuar? Çdo gjë ekziston, sepse është në komunikim me pjesën tjetër, por kjo nuk do të thotë identifikim, sepse në se ndodh, mbetemi në të njëjtën fazë të qenieve të Pavlovit, ose pjesëtar të Efektit të majmunit të një qind.

Teuta Biti:Në shkencat ekzakte për tema serioze, ndoshta flasim shkurt dhe kjo është arsyeja që deklaroj: po shoqëria ndikon, por jo vetëm ky factor, pra lë hapur dhe familjen, gjendjen ekonomike etj. Jam plotësisht dakort që edhe familja ndikon shumë. Duke qenë mësuese, sjell plot raste familjesh të mrekullueshme me fëmijë problematikë nga karakteri dhe nuk po flas për fajin që familjet i përkëdhelin këta fëmijë. Por doja të shtoja gjendjen ekonomike. Shume familje të mira për arsye ekonomike, janë gjithë ditën në punë dhe roli, ndikimi I tyre është zëvendësuar me ndikimin e shoqërisë. Prandaj them, që po ka shumë ndikim. Besoj se po flasim për këtë brez të ri dhe jo për ne, sepse brezi ynë kishte të tjera karakteristika, për shkak të sistemit në të cilin u rritëm. Megjithatë dikur kam dëgjuar një shprehje: Pse jeta s’ka përkufizim? Sepse secili e koncepton atë sipas mendjes, ose tipit të tij.

Iljaz Bajraktari: Unë kam mendimin se realiteti ynë nuk është perfekt, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e tjera dhe gama e problemeve është aq e madhe, sa kushdo mund të humbte linjën në morinë e problemeve, të cilat ndihmojnë njëra-tjetrën. Secili nga ne edhe sikur të kishte një shkop magjik, nuk do të mund t’i zgjidhte të gjitha me një të goditur, gjërat duhen kapur një nga një. Unë shtrova temë për shoqërinë e shkollës sot. Por jeta ne na jep raste nga më uniket, deri tek më të pergjithshmet, e rëndësishme është që të evidentohet problemi.