Alarmi për një ndikim rus në Ballkan sidomos pas vendimit negativ të Bashkimit Evropian përmes vetos së Francës për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka ngritur në këmbë Policinë e Shtetit.
Kjo e fundit, përmes të gjitha njësive të saj të antikrimit dhe hetimit operativ ka nisur tashmë një verifikim për të gjithë shtetasit rusë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Sipas të dhënave, janë mbi 400 shtetas rusë, që ndodhen në Shqipëri me pasaportë vetë ruse, apo edhe nënshtetësi shqiptare.
Burime të Policisë thanë për Gazetën Shqip se verifikimet janë shtrirë në disa pista, ku përfshihet aktiviteti i tyre i përditshëm, lidhjet me persona me apo pa biznes, njohjet dhe formimi i tyre profesional.
Gjithashtu, Policia ka përfshirë në skaner edhe ata persona që janë me status diplomatik në Ambasadës Ruse në Tiranë, apo edhe shumë të tjerë të ardhur në Shqipëri gjatë vitit 2019.
Sipas të dhënave zyrtare, bëhet e ditur se shumë prej rusëve kanë mbërritur në Shqipëri edhe përmes lehtësirës së krijuar nga Qeveria shqiptare, e cila nga muaji mars e deri më 31 tetor (sot skadon afati) vendosi që të mos ketë viza për shtetasit rusë që zgjedhin vendin tonë për pushime dhe jo vetëm. Ata kanë pasur të drejtë qëndrimi në Shqipëri vetëm 90 ditë.
Sakaq është kërkuar edhe një verifikim nga i gjithë sistemi TIMS për të parë të gjithë personat rusë që kanë hyrë dhe dalë nga territori i Shqipërisë, apo kontaktet që ata kanë pasur.
Kërcënimi për një ndikim rus, që më së shumti ka konotacion politik është bërë objekt i punës së organeve të zbulimit. Në lojë, sipas burimeve janë futur edhe njësi të Shërbimit Informativ Shtetëror. Policia nuk ka bërë publik asnjë fakt, por pranon se verifikimet kanë nisur dhe do të mbahen nën mbikëqyrje të plotë shtetasit rusë që ndodhen në vendin tonë për arsye nga më të ndryshmet. /Gazeta Shqip





