Delegacioni i  BE ka reaguar pas akuzave të Aleancës për Teatrin për ambasadorin Lugi Soreca se ky i fundit po bën presion ndaj Gjykatës Kushtetues.

Në njoftimin për mediat, sqarohet se takimi i diplomatit Soreca dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese mëngjesin e 16 qershorit ishte pjesë e një serie takimesh që ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.

NJOFTIMI NGA DELEGACIONI I BE

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.