Qarkullonte me armë zjarri me vete, nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe u largua me shpejtësi, por pas ndjekjes rreth 5 kilometra, kapet e vihet në pranga 47-vjeçari.

Në automjetin e 47-vjecarit Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. 

Shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, duke përfituar edhe nga situata prej Covid-19, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar punën për bllokimin e mjetit dhe të personit që dyshohej se qarkullonte me armë.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar mjetin e dyshuar në lëvizje te sheshi “Pranvera”, në Durrës dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Drejtuesi i mjetit ka kundërshtuar urdhrin e dhënë dhe është larguar me shpejtësi, por pas 5 km ndjekje nga ana e Policisë është bërë e mundur që në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, të bllokohej mjeti tip Audi që drejtohej nga shtetasi A. B., 47 vjeç, banues në Golem, Kavajë.

Pas kontrollit të ushtruar u konstatua se në sediljen  e pasme ndodhej një çantë krahu brenda së cilës ndodhej një pistoletë tip “TT” dhe një krehër me 7 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.