Bashkia paraqet relacionin për këshillin kulturor

Bashkia e Durrësit ka paraqitur relacionin e detajuar në lidhje me veprimtarinë e këshillit kulturor të ngritur pranë Bashkisë së Durrësit për periudhën 2009-2010. Sipas këtij relacioni të përgatitur nga Drejtori i A.K.R.S.K.F-së, Adrian Gurra, Bashkia e Durrësit përmes Drejtorisë së A.K.R.S.K.F ka shfrytëzuar mundësinë e dyfishtë për të pasur vendimmarrje përmes këtij këshilli për kalendarin vjetor të veprimtarisë kulturore, artistike dhe sportive, por edhe për ta pasur si organ konsultativ për çdo veprimtari jashtë këtij kalendari. Përsa i përket përzgjedhjes së projekteve, në relacion theksohet se Bashkia e Durrësit në faqen zyrtare dhe periodikët lokalë ka bërë publike kalendaret kulturorë të veprimtarive vjetore. Po duke ju referuar relacionit, rezulton se për vitin 2009 janë zhvilluar tri mbledhje të këshillit kulturor dhe për vitin 2010 katër të tilla. Bashkia e Durrësit ka bërë të ditur gjithashtu se janë vënë kushte shtesë ndaj aplikuesve të cilët janë shpallur fitues. 

 

Duke ju referuar shpenzimeve faktike për vitin 2009, vlera e përgjithshme arrin në 85.395 lekë ose 6,6 % e totalit të shpenzimeve. Shpenzimet e Bashkisë për pjesëmarrje në panaire dhe shpenzime kapitale arrijnë në 10.640 lekë, ato të Qendrës Kulturore në 62.666 lekë dhe të Bibliotekës në 12.224 lekë. Në relacionin e prezantuar nga Drejtori i A.K.R.S.K.F-së, Adrian Gurra, theksohet fakti se në vitin 2009 projektet janë fokusuar veçanërisht në drejtim të promovimit të Durrësit si një destinacion turistik me aktivitete të tilla si Nata e Bardhë, Festa e Detit, Festa e Ullirit, Dance Meeting, Festivali Ndërkombëtar i muzikës së dhomës etj. Duke ju referuar vitit 2010 rezulton se shpenzimet faktike arritën në 81.564 lekë, ose 4,4 % e totalit të shpenzimeve. Sipas Gurrës gjatë vitit 2010 u realizuan 22 projekte kulturore, në një kohë që fondet për aktivitetet kulturore dhe turistike kapën vlerën e 30.000 lekëve, kundrejt 31.000 lekëve të planifikuara. Po sipas tabelës së shpenzimeve  për vitin 2010 rezulton se Programi i Kulturës dhe Turizmit në Bashkinë e Durrësit ka thithur 6.895 lekë, Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu“ 61.873 lekë, Biblioteka 12.796 lekë, në një total të përgjithshëm prej 81.564 lekësh.