Një 46-vjeçar shqiptar është arrestuar në një aksion blic në Fontanellato.

Mediat italiane raportojnë se gjithçka nisi në orët e vona të pasdites në Casalbarbato di Fontanellato, kur patrulla e angazhuar në një postbllok urdhëroi të ndalonte një makinë që kalonte, por shoferi, duke iu shmangur sinjalit, përshpejtoi dhe u largua.

Gjatë ndjekjes, efektivët kuptuan se burri po hidhte një mbështjellëse nga dritarja e mjetit. Pas disa minutash për shkak të shpejtësisë, mjeti pranë kthesës ka dalë nga rruga, duke rrëzuar një shtyllë dhe më pas është përmbysur.

Pavarësisht aksidentit, 46-vjeçari ka gjetur forcën të dalë nga dera dhe të largohet, por përpjekjet e tij për t’u arratisur kanë dështuar pasi pak minuta më pas është vënë në pranga.

Pas kontrollit në zonë, u gjet qesja e hedhur që përmbante një peshore precize dhe një gur kokaine me peshë 30 gram.

46-vjeçari u arrestua për posedim droge dhe u mbajt në dhomën e sigurisë në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor. Për arsye hetimore, identiteti i tij nuk është bërë ende publik.