Një sasi e madhe droge që vinte nga Shqipëria është sekuestruar nga Guardia Di Finanza e Barit në Itali, ndërsa në pranga përfunduan dy shqiptarë. Në sajë të operacionit ‘Triton’ dje u bë e mundur kapja e një gomoneje me 814 kg marijuanë.
Mjeti i dyshimtë i lundrimit është pikasur nga policia italiane në liqenin e Gargano-s dhe më pas është ndjekur, skena të ngjashme sipas mediave italiane, me ato të filmave aksion. Guardia Di Finanzan ka publikuar edhe videon nga momenti i ndjekjes në det të hapur të gomones, me dy shqiptarët në bord.
‘Ansa’ shkruan se sapo vërejtën se ishin pikasur nga policia, dy shqiptarët, D.B., 31 vjeç dhe V.T., 18 vjeç, nisën të hidhnin drogën në det, ndërsa u kapën 20 milje larg Viestes, në Foxhia. Të njëjtat burime theksojnë se marijuana ishte ndarë në 42 pako, ndërsa nëse do të hidhej në treg për shitje, kapte vlerën e 8 milionë eurove.





