Deputeti socialist Eduart Ndocaj, pa ndonjë arsye të veçantë që mund të lidhet me ditën e sotme, ka publikuar një video publicitare të grupit bankar italian UniCredit, duke theksuar se NdocajGroup, shoqëria e ndërtimit që deputeti socialist kontrollon, ka kryer deri në 60 përqind të punimeve të brendshme në atë kompleks. Kompleksi u inaugurua në vitin 2014.
Zyrat qëndrore të UniCredit, në Milano, sëbashku me rivitalizimin e zonave përreth, u projektuan nga Cesar Pelli, një nga arkitektët më të njohur në botë, firmën e të cilit mban edhe projekti i Petronas Twin Towers, në Malajzi. E vërteta është se Eduart Ndocaj dhe shoqëria e tij e ndërtimit NdocajGroup pjesën më të madhe të aktivitetit e kanë në Itali, ndonëse nuk arritëm të vërtetojmë në mënyrë të pavarur atë që deputeti Ndocaj pretendon.
Në komentin e postuar në profilin e tij në Facebook, Ndocaj krenohet se shoqëria e tij NdocajGroup, nga Shqipëria, ishte ndër katër partnerët kryesorë në zbatimin e projektit gjigand, në Milano. Të tilla dalje në publik, qoftë edhe virtualisht, dhe një sens i hollë autoironizimi e kanë bërë deputetin Ndocaj një 'hit' të mediave.