21 qershor 2015 – Përveç thirrjeve të shumta që bëhen për pjesëmarrje masive në votime, ndodh edhe e kundërta.
Mëngjesin e sotëm poshtë dyerve të qytetarëve të Laçit janë gjetur letra me thirrje për bojkot të votimit, për shkak se gara sipas anonimëve që kanë shpërndarë thirrjet, është e padrejtë.
“Dyshja Rama-Meta po na kujtojnë kohën e komunizmit, ku ishte vetëm një kandidaturë, ata vendosën që ta lejnë Kurbinin vetëm me një kandidat, me kandidatin e PS-së, i cili mbetet kryetari më i dështuar në 25 vjet, pasi për 4 vite nën drejtimin e tij në qytetin e Laçit nuk bëri asgjë”, thuhet në mesazhin e shpërndarë.
Denoncimi është bërë nga vetë qytetarët në polici dhe pranë komisariatit dixhital. Policia pas marrjes së njoftimit po punon për gjetjen e autorit të hartimit dhe shpërndarjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/