Në Kosovë po mbahen zgjedhjet lokale për 38-të kryetarët e rinj të komunave. Ndërkohë që fitorja e Shqipërisë 0-1 kundër Serbisë është manifestuar edhe në fletët e votimit. Në një prej tyre, një votues u ka hequr ‘vizën’ të gjithë kandidatëve dhe ka votuar Rey Manajn për kryetar komune në Rahovec, sulmuesin që i shënoi dje Serbi.
Kosova sot zhvillon zgjedhjet lokale. Kjo është hera e dytë që qytetarët e Kosovës i drejtohen kutive të votimit pas zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara më shkurt.
Kësaj here, 2.025.105 votues do të votojnë për të zgjedhur kryetarët dhe anëtarët e 38 komunave të vendit. Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Të gjitha qendrat e votimeve janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. KQZ ka nisur që ditën e djeshme shpërndarjen e materialeve zgjedhore në Qendrat Komunale të Numërimit. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar institucionet si Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 25.2% e zgjedhësve.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje është 93, nga të cilat 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.





