Një mrekulli ka ndodhur në Turqi. Një 4-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga ekipet e kërkim-shpëtimit pas 91 orësh nën rrënoja nga tërmeti 6.6 ballë.

Kur vogëlushja me emrin Ayda Gezgin kuptoi se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, e para pyetje që bëri ishte “Ku është babai im?”.

Vajza është shtruar në spital dhe mjeku që e shoqëroi atë me ambulancë deklaroi se ajo ishte në gjendje të mirë.
Ekipet e kërkim-shpëtimit që vazhdojnë punimet e tyre në rajon, gjatë një operacioni arritën të gjejnë një fëmijë që ndodhej nën rrënojat e apartamentit Rıza Bey dhe më pas punimet i intensifikuan në këtë zonë.

Pasi arritën kontaktin me fëmijën, nën rrënoja u dërguan serum, batanije termale dhe barrelë.

Fëmija pas vendosjes në barrelë u transportua për tek ambulanca. Gjatë kësaj u rritën edhe zërat dhe duartrokitjet për shpëtimin e fëmijës.

Kreu i Agjencisë turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), Mehmet Güllüoğlu në një postim nga llogaria në Twitter shkroi: “Gjetëm edhe një vogëlushe. Elhamdulillah (Falënderimi i takon vetëm Allahut).

Ndërkohë edhe guvernatori i Izmirit, Yavuz Selim Köşger ka postuar: “Ayda Gezgin u shpëtua gjallë”.

Edhe një ditë më parë, një tjetër vogëlushe me emrin Elif u nxor e gjallë nga rrënojat pas 65 orësh.