Mbrëmjen e sotme qyteti i Durrësit, më saktë sheshi “Liria”, i solli ndërmend shumë durrsakëve qytetet e mëdha europiane, të cilat gëlojnë nga artistët e rrugës që improvizojnë mini-koncerte për të argëtuar kalimtarët dhe fituar disa të ardhura.
Të mësuar me anëtarë të komunitetit rom, që me një dajre e klarinetë argëtojnë kalimtarët nëpër rrugët e qytetit, apo vendet turistike të Durrësit, sot në mbrëmje qytetarëve durrsakë iu ofrua një mini-koncert ndryshe.
Me një kitarë dhe saksofon, ky çift i huaj, që po vizitonte Durrësin si turistë, improvizoi një shfaqje pranë bashkisë së qytetit.
Të shumtë qenë kureshtarët që u afruan për të parë dhe shijuar muzikën, madje nuk munguan edhe ata që i dorovitën të rinjtë që krijuan një atmosferë alegro në shesh.
Operatori i DurrësLajm fiksoi mbrëmjen e sotme këto pamje që ju ftojmë t’i ndiqni në videon e mëposhtme.
M.P.