Bryne, klubi i vogël norvegjez nga qyteti i lindjes së Erling Haaland, ka shkruar një kapitull të ri emocionues në historinë e tij, duke shënuar fitoren e parë në elitën e futbollit norvegjez pas plot 22 vitesh. Në një sfidë të zjarrtë kundër Haugesund, Bryne fitoi me rezultatin 3-1 në shtëpi. Por përtej rezultatit, vëmendjen më të madhe e tërhoqi dhurata për mesfushorin Alec Kryger, i shpallur lojtari i ndeshjes: një dele e gjallë!
Ky veprim jo i zakonshëm është pjesë e një tradite unike që klubi ka nisur në bashkëpunim me sponsorin e tij, kompaninë bujqësore Steinsland & Co, e cila ofron “shpërblime rurale” për lojtarët që dallohen në fushë.
Kujtojmë se më herët, pas një humbjeje në raundin e parë të sezonit, portieri i skuadrës u “ngushëllua” me katër tabaka vezë. Bryne po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare, jo vetëm për performancën, por edhe për atmosferën autentike dhe traditat e çuditshme që po e bëjnë një sensacion të ri në futbollin evropian.