Shqipëria nuk ndihet inferiore ndaj rivalëve në arenën europiane, kjo jo vetëm përsa i përket skuadrës së parë, por vihet re edhe te moshat. Kombëtarja e 21-vjeçarëve të Shqipërisë bëhet gati për të luajtur ndeshjen e 5-të eliminatore ndaj Irlandës së Veriut në Grupin 2 për europianin e kësaj grupmoshe, që do të zhvillohet në Itali verën e ardhshme. Kjo shihet në fjalët e futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Alban Bushi, teksa në konferencën për shtyp Emanuele Ndoj dhe Ylber Ramadani ftojnë tifozët për t’i dhënë zemër ekipit për një objektiv madhor madhor.
Emanuele Ndoj: Kërkojmë fitoren për të kaluar grupin dhe të shkojmë në europian. Jemi përgatitur mirë dhe shpresojmë për fitore ndaj Irlandës së Veriut. Është mirë të luajmë me përqendrim, shpresojmë për fitoren.
Ylber Ramadani: Që nga dita e parë jemi të përqendruar, duhet të hyjmë në fushë pa eufori dhe të fitojmë ndeshjen. Takimi luhet në Tiranë, ndaj dua të ftoj të gjithë tifozët, sepse kemi nevojë për ta.
Shqipëria e 21-vjeçarëve ka grumbulluar 5 pikë në 4 ndeshje, ndërkohë që në Irlandën e Veriut u thye në sfidën e parë në kohën shtesë me një penallti. Në futboll nuk ka vend për hakmarje, edhe pse është një sport që shpeshherë vendoset nga episodet. Djemtë e Bushit janë të bindur që skuadra ka bërë lojën më të mirë nga të gjithë kundërshtarët në këto eliminatore, por ka dicka që nuk shkon.
Emanuele Ndoj: Mund të kishim më shumë pikë, pasi kemi treguar lojë të mirë. Kemi patur shanse shënimi, kemi humbur raste, por shpresojmë të marim pikët e plota. Na mungon sulmuesi, por jemi të gjithë lojtarë të mirë dhe shpresojmë të shënojmë dhe të fitojmë. Kemi zhvilluar gjithmonë lojë të bukur, pot tani duhet ta shoqërojmë edhe me gola.
Ylber Ramadani: Nëse e fitojmë ndeshjen, kemi shanse të mira, sepse në këto kualifikime kemi bërë lojën më të mirë nga të gjitha ekipet dhe besoj se do të fitojmë. Mendoj që nuk është revansh, sepse në futboll janë të 3 rezultatet dhe këtë ndeshje duhet ta fitojmë si ekip. Objektivi ynë është vendi i 2-të në grup, por ne hyjmë në çdo ndeshje për të fituar. Të dy mesfushorët kanë gati recetën se si mund të fitohet ndaj Irlandës së Veriut, duke qenë se është një kundërshtar të cilin e njohin.
Emanuele Ndoj: Kemi ekip më të mirë se ata, pasi luajnë në mbrojtje me topa të gjatë.
Ylber Ramadani: Duhet ta qarkullojmë topin sa më shpejt, pasi ata luajnë me topa të gjatë, duhet t’i neutralizojmë.





