Kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë Nard Ndoka, bëri me dije se partitë opozitare janë ende në diskutim lidhur me koalicionin.

Ai tha se me shumë mundësi koalicioni do të mbajë emrin e atij të 6 Marsit,  ‘Shtëpia e Lirisë’.

“Koalicioni besoj do ketë emrin e 6 marsit, jemi edhe duke diskutuar, është një markë që u fut në treg.” tha Ndoka, ndërsa theksoi se në këtë koalicion gjithkush duhet të tolerojë pak nga vetja.

“Ka një lloj hapësire për partitë e vogla, nuk shoh pengesa në hartimin e listave në total, gjithkush duhet të tolerojë pak nga vetja. Nuk jemi në kushte normale, opozita është e përjashtuar nga zgjedhjet. Kryeministri ka frikë nga vota e lire”, shtoi ai për ABC News.

Kujtojmë se sot në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve u hodh shorti për të përcaktuar relatorin për ankimimin e bërë nga grupi i Enkelejd Alibeajt, pas vendimit të marrë ditën e djeshme nga KQZ për mos regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit.

Gjatë shortit u vendos që relatori për çështjen e PD-së do të jetë Koli Bele.

PD ankimoi në KAS vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, i cili vendosi përfundimisht që PD të mos futet në zgjedhje pasi nuk ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi argumentoi vendimin e tij duke thënë se Lulzim Basha rezulton kryetar i Partisë Demokratike sipas regjistrit për partitë politike në gjykatë, ndaj dhe angazhimi solemn nuk mund të nënshkruhet nga Enkelejd Alibeaj.