8 shtator 2015 – Deputeti socialist i qarkut të Lezhës, Arben Ndoka, dje dorëzoi mandatin e deputetit, i cili përmes një letre të hapur drejtuar grupit parlamentar socialist, shpjegonte dhe arsyet që e çuan në këtë vendim.
Ndoka ishte përfolur dhe akuzuar më parë nga opozita si njeri me precedentë penalë në Itali, dhe për të lënë Partinë Socialiste dhe maxhorancën jashtë akuzave që e kanë shoqëruar për shkak të tij, deputeti dorëzoi mandatin.
Ai u shpreh se do të bëjë çdo përpjekje që Partisë Socialiste dhe publikut shqiptar t’i sjellë një vendim gjykate italiane ose atë të Strasburgut që do të vërtetonte pafajësinë e tij ndaj akuzave që rëndojnë mbi të për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi.
Por, e përditshmja “Panorama” shkruan se sipas disa burimeve të saj nga Partia Socialiste, ka qenë kryeminsitri Rama ai i cili i ka kërkuar Ndokës që të lërë mandatin, pas akuzave që i janë bërë për t’i hapur rrugë procesit të dekriminalizimit, nga i cili Ndoka nuk do të shpëtonte.
Sipas të njëjtave burime të gazetës, Prenga dhe Ndoka nuk do të jenë të vetmit që detyrohen të lënë mandatin e deputetit, por edhe disa emra të tjerë të përfolur jo vetëm nga maxhoranca. Pritet që ligji për dekriminalizimin të kalojë në sitë edhe deputetët dhe të emëruarit aktualë të administratës shtetërore.
/portali DurresLajm/