TIRANE, 11 korrik 2013 – Arben Ndoka, kandidati i PS-së për deputet, të cilit ju hoq dje mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha për "Gazeta Shqiptare", se kjo është një tentativë për t'i hequr të majtës mandatin e 84-t. Në një intervistë pas mbledhjes së KQZ-së, Ndoka lajmëron se sot do të dërgohet ankimimi në Kolegjin Zgjedhor. I pyetur në lidhje me kërcënimet ndaj përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti, Ndoka tha se këto janë kombinacione të Kosovrastit për të njollosur procesin. Ndërkohë po dje i ftuar në NEWS 24, Ndoka duke folur me tone kërcënuese tha lidhur me denoncimin e Kosovrastit se "çfarë priste ai, fushë me lule". Fill pas mbarimit të intervistës, Policia ka sekuestruar kasetën e NEWS 24. 

Zoti Ndoka, ky mandat është mandati juaj që ua hoqi KQZ? Si e komentoni këtë vendim? 

Po po është mandati im. Në fakt ishin 6 procesverbale në të cilat kishte gabime njerëzore, ndërkohë ata morën 10 të tillë, pasi nuk u dilte llogaria e manipulimit, sipas urdhrave apo sipas dëshirës së tyre. Për të gjitha ato procesverbale, të cilat pretendohet se janë false ato ishin me vulë të njomë dhe me numër protokolli nga komisioni dhe të firmosur nga anëtarët e KZAZ-së. Ata në vend të merreshin me kutitë e rrethit Kurbin dhe me ngjarjet ekstreme që ndodhën atje, me kutitë në cilat pati vota nga një person mbi 30 herë, votuan njerëz nga Shijaku e Fushë Kruja me shumicë. Votuan mbi 94% e numrit të votuesve dhe ne na rezulton sipas sistemit TIM që 70% e këtyre votuesve ekzistojnë jashtë shtetit, pra janë emigrantë. Ata nuk figurojnë të kenë hyrë, kanë dalë para disa ditësh dhe nuk kanë hyrë. Këtu rezulton sikur ka votuar dhe pjesëmarrja në votime në këtë moment është 94%. Ndërkohë që 70% e këtyre njerëzve janë jashtë shtetit dhe nuk kanë hyrë në Shqipëri. Përveç kësaj ata tentuan në disa forma duke kërkuar procesverbale origjinale nga partia e tyre, me të cilat nuk u doli llogaria dhe pastaj ju referuan sistemin online, të cilin e kanë hedhur në sistem sipas dëshirës dhe llogarive të tyre. 

Ju si parti a i paraqitët procesverbalet tuaja? 

Ne i kemi dorëzuar në KZAZ procesverbalet tona, por ne i kemi gati për të bërë nesër ankimimin në Kolegjin Zgjedhor. Ne kemi të gjithë listën e njerëzve që nuk kanë qenë në Shqipëri gjatë procesit të votimit dhe kemi disa qendra votimi, të cilat janë kontestuar nga disa numërues të PS-së. Ndërkohë që rezultati i Lezhës është totalisht i pakontestuar në të gjitha procesverbalet. I vetmi procesverbal i kontestuar është procesverbali i burgut të Shën Kollit, pasi aty i kanë detyruar njerëzit të votojnë sipas urdhrave të policisë me regjistër të brendshëm të drejtorit, duke u marrë kartën e identitetit atyre që nuk kanë pranuar të votojnë dhe me forma e me mjete që ata i kanë në dorë për t'i kryer për momentin. Tabelat përfundimtare të KZAZ-së 13 në Lezhë janë fare të pakontestuara, janë firmosur nga të gjithë anëtarët dhe janë të pakorrigjuara. Pra të gjitha qendrat e votimit nuk janë kontestuar përveç asaj të Burgut të Shën Kollit. Sa i përket KZAZ 14 që është Kurbini, aty ka qenë një masakër, për të cilën ne do të paraqesim gjithë provat që ne kemi. Është 906 dhe 907, ku rezultatet e kësaj qendre janë: Pjesëmarrja 94%, nga ku një pjesë e madhe janë jashtë shtetit jo në Kurbin dhe rezultati ka qenë 378 për PD-në dhe 78 për PS. Pra të vetmit njerëz që kanë qenë në Shqipëri kanë qenë ata që kanë votuar për PS-në. Pjesa tjetër sipas të gjitha indicieve dhe informacioneve që ne kemi rezultojnë të jenë jashtë shtetit, në emigrim. Është votuar me një numër karte etj, etj. Ne do i paraqesim këto prova në Kolegj. 

Përveç ankimimit a do bëni edhe ndjekje penale për ata që ju thoni se kanë manipuluar? 

Këto janë gjëra që do shkojnë hap pas hapi. Është një organ tjetër që merret me këtë. Ne do të bëjmë luftën tonë për të ruajtur mandatin, për të cilin ka votuar elektorati. Do ta bëjmë luftën deri në fund. Unë nuk mendoj se është mandati im, por është mandati i 84-t. Lufta që bëjnë ata të PD-së është më shumë për t'i hequr PS-së mandatin e 84-t. Ata kanë 100 arsye, kanë me çfarë të merren. Nuk merren me rastin ekstrem që ndodhi ditën e zgjedhjeve, vrasjen në mes të qytetit të Laçit, para qendrës së votimit. Asnjëherë nuk u përmend nga KAZ-ja kjo ngjarje, por u gjykuan procesverbalet tona duke përmendur emra, si të ishte organ prokurorie, jo një anëtar i thjeshtë i KZAZ. 
Zoti Kosovrasti pretendon se ka patur kërcënime nga ana e PS-së. A jeni në dijeni, është bërë kjo për shkak të Lezhës? 
Absolutisht që nuk mund të ketë ndodhur për shkak të Lezhës. Edhe unë e mora atë informacion përmes televizorit, përmes "News 24", por normalisht që Kosovrasti me atë gjuhë që flet kush e di sa kundërshtarë do të ketë bërë dhe normale edhe votuesit në gjykimin dhe në koshiencën e tyre nuk ja falin. Por për mendimin tim ky është një kombinacion që e ka ndërtuar vetë Kosovrasti për të bërë rolin e viktimës dhe për të njollosur procesin. Pasi nuk kanë forma njerëzore përdorin këto lloj formash. 

Kërcënimet ndaj Kosovrastit

Kosovrasti denoncoi dy dite me pare publikisht dhe kërcënimet që iu bënë me mesazhe telefonike, pjesë të SMS-ve të cilat i lexoi para anëtarëve të KQZ-së dhe para mediave. “Zonja kryetare, mua më kanë ardhur katër mesazhe në celular, kërcënuese dhe po i bëj publike për dijeni edhe për personalitetet e shtetit shqiptar. Nuk po ju lexoj të gjitha mesazhet, por pjesë të tyre. Në mesazhin e dytë thuhet: ‘Çdo gjë që na del përballë, gjakun dhe djersën tonë, vetëm familja jote e lan’. Mesazhi i fundit: ‘Do ta shikosh sa të vlen lëkura, të fala fëmijëve’. Unë në përgjegjësinë time i thashë të vërtetat ashtu siç janë dhe e kërkoj këtë edhe nga të tjerët. Dhe ky mesazh le të jetë për autoritetet e shtetit tim si një masë që të gjithë të marrim që t’i themi ndal të keqes”, tha Kosovrasti ne KQZ.