Prokuroria ka zbardhur dinamikën e një ngjarje të ndodhur në Berat dy ditë më parë, ku dy persona, për të cilët u tha fillimisht se ishin agjentë të policisë, kishin ndaluar një furgon. Gjykata e Beratit ka lënë në burg Afred Kallmin dhe Antonio Toskan, të cilët dy ditë më parë ndoqën një të ri nga Durrësi dhe iu prezantuan bluve të Beratit si agjentë të SHISH-it.

Ngjarja

Ata rezultojnë punonjës të një kompanie private, të quajtur “Qendra Investigative Tiranë”.

Më 10.02.2016, duke deklaruar se janë punonjës policie, ata kanë tentuar të ndalojnë shtetasin F.F., i cili po udhëtonte me mjetin e tij furgon nga Berati në drejtim të Durrësit.

Duke qenë “në shërbim”, këta dy shtetas i thanë policisë se kanë parë një furgon me targa të Durrësit, i cili i është dukur i dyshimtë dhe e kanë ndjekur me mjetin e tyre tip “Mercedez”, me qëllim për t’i bërë kontroll.

Pasi drejtuesi i furgonit nuk ka ndaluar, ata e kanë parakaluar dhe i kanë kërkuar një patrulle policie që të ndalojnë mjetin furgon.

Ndërkohë, drejtuesi i furgonit, shtetasi F.F., duke qenë se është ndjerë i trembur nga shoqërimi që po i bënte mjeti “Mercedez”, ka njoftuar policinë e shtetit, në numrin 129.

Në momentin që patrulla e policisë, nën sugjerimin e dy ‘agjentëve”, ka ndaluar mjetin furgon, në radion e tyre marrin porosi që të sqarojnë situatën, pasi drejtuesi i mjetit furgon ka njoftuar për një situatë të dyshimtë shoqërimi nga mjeti Mercedez.

Pasi janë shoqëruar të gjithë personat në komisariat, rezultoi se “agjentët” Kallmi dhe Toska nuk kishin asnjë të drejtë ligjore për të kryer ndalim dhe kontroll mjetesh.

Në këto kushte, Prokuroria e Beratit thotë se Alfred Kallmi dhe Antonio Toska kanë konsumuar veprën penale “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Masa arrest me burg me afat 15 ditë

Gjykata dha masën e sigurisë burg me afat, duke i kërkuar Prokurorisë që gjatë dy javëve të sigurojë prova të mjaftueshme mbi faktin se me çfarë baze funksionon kjo shoqëri private.

Prokuroria e Beratit, në seancë ka paraqitur argumentin se atributet e policisë gjyqësore i kanë vetëm organet shtetërore të ngarkuara me ligj dhe nuk mund t’i ketë asnjë organizëm privat.

Gjithsesi, gjykata ka vendosur që brenda 15 ditëve Prokuroria t’i sqarojë gjykatës së kush mbart rolin e Policisë Gjyqësore, gjë që në fakt është parashikuar shprehimisht në Kodin e Procedurës Penale dhe në ligjin “Për Policinë e Shtetit”.

Në bazë të legjislacionit shqiptar, atributet për ndalimin dhe kontrollin e qytetarëve e ka vetëm policia gjyqësore e institucioneve shtetërore dhe jo përfaqësues të kompanive private.