Policia Bashkiake e Durrësit ka gjobitur gjatë ditës së sotme disa individë dhe subjekte private, të cilat hidhnin mbeturina jashtë vendgrumbullimeve të përcaktuara.

Situata me ndotjen ambientale nuk është ndër më të mirat në Durrës, madje gjatë mandatit 4 mujor të ish-kryebashkiakes Valbona Sako, pastrimi i qytetit ishte kthyer në prioritetin numër 1 të administratës bashkiake.

Për të evituar rastet e ndotjes së mjedisit nga individë dhe subjekte të papërgjegjshme, bashkia e Durrësit fton qytetarët të denoncojnë shkelësit në numrin fiks të Policisë Bashkiake, 052232250.

Postimi i bashkisë Durrës:

Policia bashkiake e Durrësit në zbatim të detyrave të saj ka kapur në flagrancë dhe ka gjobitur disa individë dhe subjekte që hidhnin mbeturina jashtë vendgrumbullimeve të përcaktuara. Bashkia e Durrësit i fton të gjithë qytetarët dhe subjektet që të kontribuojnë në mbajtjen pastër të mjedisit duke respektuar rregullat. Për çdo shkelje të ligjit me pasojë ndotjen e mjedisit, qytetarët mund të denoncojnë në numrin fiks të Policisë Bashkiake, 052232250.