Banorët e Porto-Romanos në Durrës kanë ngritur alarmin e madh të ndotjes mjedisore nga djegia e plehrave. Në fushën e mbetjeve urbane depozitohen me qindra metra kub mbetje urbane çdo ditë në mungesë të një impianti riciklimi. Riciklimin e bëjnë dhjetëra banorë të varfër të periferisë çdo ditë në kushte krejtësiksht të papranueshme.

Banorët e varfër me duar presin makinat e plehrave që shkarkohen aty çdo orë për të mbledhur plastikën e kanoçet e aluminit e më pas mbetjeve ju vë zjarrin. Tymi ka bërë me sëmundje kryesisht banorët që gjenden më pranë fushës së mbetjeve, megjithatë qyteti i Durrësit vuan pasoja të rënda.

Shpëtim Hidri, drejtori i Ndërmarrjes së Komunales në Durrës, ka ngritur para prefektit të Durrësit problemin më të madh mjedisor që ka qyteti, fushën e mbetjeve urbane në të cilën digjen në qiell të hapur qindra tonë mbetje çdo ditë. Në mbledhjen e prefekturës për masat e marra për sezonin turistik, Hidri ngriti shqetësimin e familjeve që gjenden pranë fushës së mbetjeve urbane dhe të personave që çdo ditë i drejtohen kësaj fushe për riciklimin e mbetjeve të cilat depozitohen aty.

Hidri kërkoi ndërhyrjen e të gjitha ministrive në lidhje me këtë problematikë, pasi sipas tij, qindra persona që çdo ditë riciklojnë mbetjet urbane, i vënë zjarrin atyre. Tymnaja e madhe që mbulon qytetin e Durrësit dëmton rëndë popullatën, por njëkohësisht edhe imazhin e qytetit turistik, pohoi Hidri. Ai tha se shqetësimin e ka bërë publik në bashkinë e Durrësit dhe në prefekturë.

Fusha e mbetjeve urbane në Durrës gjendet në një hapësirë prej 40 hektarësh në Porto-Romano. Pak ditë më parë dolën në protestë banorët, por deri tani nuk i është dhënë asnjë zgjidhje, pavarësisht se prej 20 vjetësh të gjithë drejtuesit vendorë e të qeverisë qendrore sa herë ka zgjedhje bëjnë të njëjtin premtim: ndërtimin e një impianti riciklimi për mbetjet urbane të cilat janë kthyer në rrezikun e rritjes së sëmundjeve kanceroze në qytetin e Durrësit.

K.H.