Pas shqetësimit të ngritur nga ana e peshkatarëve për ndotjen masive të detit Adriatik, të cilët thonë se mbetjet urbane dhe të fabrikave përfundojnë në kanale e shkarkohen në det nëpërmjet grykëderdhjeve të lumenjve, ka reaguar dhe sindikata e peshkimit. Kryetari i kësaj sindikate, Klodian Kapiti, deklaroi për “DurrësLajm” se tashmë në rrjetat e peshkatarëve nuk po bien më peshq, por kafshë të ngordhura.
“Në largësi e thellësi të mëdha kemi kapur në rrjeta gomerë e mushka të ngordhura që kanë përfunduar në det nga grykëderdhjet e lumenjve. Është prishur ekosistemi detar si pasojë e ndotjes mjedisore nga kanalet kulluese në grykëderdhjet e lumenjve, të cilat më pas përfundojnë në det. Adriatiku është mbushur me inerte, dhe nëse do të kryheshin analizat, rezultatet do të përbënin skandal të vërtetë”, thotë Kapiti.
Kreu i sindikatës së peshkimit thekson se duhen marrë menjëherë masa, sepse prodhimet e detit janë të ngordhura ose në mungesë të theksuar. Sipas tij, në ekosistemin detar janë shkaktuar dëme të pariparueshme.
Pothuajse të gjitha kanalet e ujërave të larta janë të mbushura me mbetje urbane, të cilat shkarkohen në hidrovorin e PortoRomanos dhe më pas drejt e në det. E gjithë zona e grykëderdhjes së lumit Erzen është e mbushur me mbetje kauçuku e mbetje të tjera, të cilat nuk janë organike që mund të treten, por vazhdojnë të ndotin pafund.
Ndiqni prononcimin e Klodian Kapitit:





