Sasitë e mëdha të mbetjeve plastike rëndojnë sistemet ekologjike. OKB kërkon t’i japë fund ndotjes nga lëndët plastike me anë të një marrëveshjeje të detyrueshme. Bisedimet për të cilën janë duke u zhvilluar në Paris.

Bisedimet e OKB-së për të arritur një marrëveshje ndërkombëtare për të ulur ndotjen nga plehrat plastike filluan në Paris me një thirrje urgjente për të vepruar. Drejtoresha e programit UNEP, program i OKB për mjedisin, Inger Andersen tha se plastikat që hidhen poshtë pas përdorimit “janë duke u marrë frymën sistemeve tona ekologjike”. E vërtetë është po ashtu, “që ne nuk mund ta luftojmë këtë problem me anë të riciklimit”. 

Në një video-mesazh transmetuar në hapje të konferencës, Presidenti francez Emmanuel Macron, e quajti ndotjen e mjedisit nga mbetjet plastike “bombë me sahat”, e cila e ka marrë botën peng që sot.

Plehrat plastike shkaktojnë rreziqe për shëndetin e njeriut, për shumëllojshmërinë e llojeve dhe për klimën. Prioritet duhet të jetë reduktimi i prodhimit të lëndëve plastike dhe ndalimit “sa më shpejt të jetë e mundur” të prodhimit të lëndëve plastike njëpërdorimëshe të cilat dëmtojnë mjedisin, tha presidenti francez.

Nëse nuk veprojmë që sot për të sjellë ndryshimet, atëherë deri në vitin 2060 plehrat plastike do të jenë trefishuar. Ai kërkoi po ashtu t’i jepet fund eksportit të plehrave plastike nga vendet e industrializuara në jugun global.

Kryetari i komitetit ndërkombëtar të bisedimeve të Parisit, Gustavo Meza-Cuadra Velásquez, foli për një sfidë të madhe të cilën e njohin të gjithë pjesëmarrësit e konferencës, “por ajo është e pashmangshme”. Vendet, toka, uji, ajri dhe trupi i njeriut janë prekur nga plastika. Ky problem mund të zgjidhet vetëm nëse bashkëpunojnë të gjithë. Nevojitet një marrëveshje e drejtë dhe efektive, e detyrueshme me ligj, që të garantojë se plehrat janë gjëja e fundit që duhet lejuar. 

Deri në 2024-n duhet të jepen zgjidhje për trajtimin e plastikës

Takimi i tanishëm i Parisit është raundi i dytë i bisedimeve ndërshtetërore për të arritur në një marrëveshje të tillë. Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara duan që deri në fund të 2024-s t’i japin fund ndotjes me plehra plastike. Planet parashikojnë që deri në vitin 2024 të mbahen gjithsej pesë raunde bisedimesh.

Në takimin e Parisit, që zgjat deri ditën e premte, marrin pjesë vendet anëtare të OKB si dhe organizata joqeveritare, shkencëtarë dhe sindikata. Vitin e kaluar 175 shtete premtuan që deri në vitin 2024 të bien dakord për një marrëveshje të detyrueshme për të luftuar ndotjen plastike të mjedisit dhe të ujrave. 

Lëndët plastike ndodhen kudo: jo vetëm në veshje, lëndë ndërtimi, paketime, pelena, akullin polar dhe barkun e peshqve që jetojnë në thellësi të deteve, por edhe në gjakun e njeriut, madje dhe qumështin e nënës janë vërejtur tashmë pjesëza plastike. Dy të tretat e sasisë prej 460 milionë tonësh lëndë plastike të prodhuara së fundi, hidhen poshtë pas një përdorimi ose pas një përdorimi të pakët. Vetëm dhjetë përqind e sasisë së prodhuar të lëndëve plastike futet në riciklim.

Përveç kësaj, produket plastike të prodhuara nga nafta e papërpunuar përshpejtojnë ndryshimin e klimës. Në vitin 2019 ato shkaktuan 1,8 miliardë tone gazra që shkaktojnë efektin serrë duke qenë kështu përgjegjës për 3,4 përqind të gazrave të dëmshme të botës./DW