*Pas 5 javësh do të bëhet krahasimi i dytë me karburantin e mjeteve lundruese të dyshuara
Kush e ndoti bregdetin e Durrësit? Gati pesë javë nga ndotja masive që shpërtheu në plazhin e Durrësit, për rreth 3 km vijë bregdetare, autoritetet ende nuk kanë një përgjigje konkrete për të vënë para drejtësisë, subjektin apo individin që shkaktoi këtë ndotje.
Burimet nga policia kufitare në Durrës, pjesë e grupit hetimor, kanë bërë të ditur se tashmë rrethi i mjeteve lundruese të dyshuara ka mbetur vetëm dy. “Është kërkuar riekspertim i karburantit dhe mbetjeve të një prej trageteve të linjës Durrës-Bari dhe një prej anijeve tregtare që transporton konteinerë në portin e Durrësit. Ekspertët e Laboratorit Kriminalistik në bashkëpunim me inspektorët e mjedisit kanë marrë mostra për riekspertim të lëndëve djegëse të tyre, pasi nga analizat e para janë vërejtur disa prej komponentëve të njëllojtë me mostrat e materialit që doli në bregun e detit më 7 nëntor.
Burimet nga policia kufitare thonë se u morën me dhjetëra mostra mbetjesh karburanti në mjetet lundruese që gjendeshin në portin e Durrësit dhe të atyre që lundrojnë në ujrat tona. Nga analizimi , vetëm dy mjete kanë mbetur të dyshura, të cilat i përkasin tonazhit të madh. Lëvizjet e tyre në Adriatik korrespondojnë me kohën kur shpërtheu ndotja në bregdet. “Riekspertimi do të zbulojë nëse është apo jo shkaktarë njëri prej tyre apo do të bjerë dyshimi edhe ndaj këtyre mjeteve lundruese” pohuan burimet.
Sipas hetuesve, kjo është edhe mundësia finale për të zbuluar shkaktarin e ndotjes, në të kundërt, ngjarja ka për të mbetur pa autorë. Pa autorë sepse mund të jetë ndonjë anije që ka kaluar transit në ujërat ndërkombëtare në drejtim të veriut në Kroaci, në Itali, në Greqi apo edhe më tej Mesdheut. Ajo mund të ketë shkarkuar ditë më parë mbetjet e saj por që era i solli në plazhin e Durrësit vetëm pas mesditës së 7 Nëntorit. Burimet saktësojnë se nga përgjegjësia u përjashtuan anijet e peshkimit dhe anijet tregëtare, të tonazhit të mesëm dhe të vogël, sepse depozitat e tyre, nuk mund të mbajnë atë sasi karburanti për të shkaktuar ndotjen masive që shpërtheu në plazh.
Prokuroria ngriti disa pista hetimi për ngjarjen dhe u kërkua bashkëpunimi edhe i organeve të tjera hetimore, detare dhe SHISH, me qëllim identifikimin e shkaktarit. Sipas burimeve, mësohet se është kërkuar nga kapiteneria e portit të identifikojë dhe verifikojë të gjitha lëvizjet e anijeve të transporteve që kanë kaluar në ujrat shqiptare në bazë të GPS që çdo anije ka.
Hetimet për ngjarjen në fjalë janë regjistruar për akuzën e “ndotjes së ujërave” dhe nëse arrihet të provohet e identifikohet personi apo kompania që ka kryer këtë derdhje, sipas legjislacionit shqiptar rrezikon një dënim nga 5 deri 10 vjet burg.
/K.H/





