11 nëntor 2015 – Po mbushet java që bregdeti i Durrësit është ndotur si kurrë më parë me mbetje të rrezikshme për kilometra të tëra dhe shteti bën strucin. Ky është një ndër krimet mjedisore me pasoja më të rënda afatgjata në mjedis, shëndet, peshkim dhe turizëm.

Kështu e nis deklaratën e tij këtë të mërkurë drejtuesi i Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit, Jamarbër Malltezi, për katastrofën mjedisore që ndodhi në qytetin e Durrësit pak ditë më parë.

Sipas tij, në çdo vend normal do ishte shpallur gjendja e emergjencës dhe fajtorët do ishin kapur, ndërsa në Shqipëri qeveria po ha kos dhe po përlan miliona euro.
Gjatë fjalës së tij, Malltezi nuk lë pa akuzuar dhe kryebashkiakun Vangjush Dako, i cili sipas tij ka dalë gënjeshtar para të gjithëve duke thënë që ndotja ishte eliminuar. Ndërkohë, vetëm një ditë më pas Agjencia Kombëtare e Mjedisit dha alarmin duke bërë thirrje që askush të mos ketë kontakt me ujin.

“Para 4 ditësh kryetari i Bashkisë (që e konsideron detyrën e vet në thjesht blerjen e votave të hallexhinjve që i ka varfëruar deri në humbje dinjiteti) në një akt kriminal u tha durrsakëve që nuk kishte më problem dhe se ndotja ishte eliminuar. Por një ditë më pas, vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit e nxori Vangjushin gënjeshtar kur deklaroi zonën shumë të ndotur dhe banoret mos të prekin detin. Ministri i Bujqësisë ndërkaq njoftoi qytetarët të mos konsumojnë prodhime deti të zonës së ndotur”, tha Malltezi.

Më tej, ai parashtroi dhe disa pyetje drejtuar qeverisë, përgjigjet e të cilave po i presin prej një jave të gjithë durrsakët dhe shqiptarët.

1. Cili është burimi dhe shkaku i ndotjes?
2. Cili është ndotësi dhe sasia e ndotësit? Këto janë detyrime ligjore bazike.
3. Pse nuk zbatohen ligjet “Për Mbrojtjen e Mjedisit Detar nga Ndotja dhe Dëmtimi” dhe “Për Emergjencat Civile”?
4. A ka institucione ky shtet apo ka veç tenderë?
5. A ekzistojnë në këtë vend institucione të tilla si: Agjencia e Bregdetit? Kapitaneria e Portit? Roja Bregdetare? Inspektorati Mjedisor? Agjencia Kombëtare e Ushqimit?
6. Pse paguajmë mijëra paga për punonjës dhe institucione që kur na duhen qenkan në gjumë?
7. Kush do na garantojë që peshqit dhe guaskat e kontaminuara nuk do përfundojnë në pjatat e shqiptarëve?
8. Kush do paguajë për të kompensuar humbjet e bizneseve turistike në bregdetin e Durrësit?
9. Kush do duhet të kompensojë peshkatarët e Durrësit që për disa muaj nuk duhet të gjuajnë peshk?
10. Kush do paguajë apo si do kompensoje për rastet e sëmundjeve të lëkurës apo edhe të sëmundjeve kancerogjene që mund të shfaqen?
11. Kush po kontrollon tokën, ajrin dhe detin në këtë vend? Kjo pasi nga toka po bëhet kontrabandë qindra miliona euroshe, nga ajri po hyjnë e dalin avionët e drogës, deti po ndotet me tonelata mbetjesh toksike dhe qeveria nuk ka asnjë përgjigje?

Durrsakët dhe shqiptarët po presin përgjigje ndaj këtyre pyetjeve qysh prej një jave. Shqiptarët dhe durrsakët nuk meritojnë një qeveri që fshihet pas jaguar-ëve me xhama të zinj dhe refuzon të përgjigjet për hallet e banorëve që nuk ia kishin për borxh.”

/S.L. portali DurresLajm/