Investimi do të garantojë standarte më të larta shërbimi

Drejtori i Autoritetit portual në Durrës, Eduart Ndreu, ka bërë të ditur se shumë shpejt do të përurohet laboratori për kryerjen e të analizave të të gjitha mallrave, që përpunohen në port. Deri tani të gjitha mallrat, që hyjnë e dalin në këtë port kanë garantuar treguesit përmes analizave, të paraqitura nga kompania e importit apo eksportit të produktit apo mallit. Por porti detar, që synon të kapë standartet më të larta të shërbimit e garancisë, ka vendosur të investojë për të ndërtuar laboratorin e vet. Pajisjet kanë mbërritur dhe specialistët kanë nisur montimin e tyre, në mjediset ku sot gjendet drejtoria e migracionit.

Çështja më e diskutuar javët e fundit ka qenë ajo e mjedisit dhe ndotjes nga importi i mallrave me rrezik të lartë ndotjeje. Kalata lindore ka mallra që mund të ndotin mjedisin?

Kalata lindore po i nënshtrohet investimit më të madh, që nga koha e ndërtimit të portit të Durrësit. Kjo kalatë nuk ka ndërruar destinacion, pra ka shërbyer gjithnjë si vendi i depozitimit të mallrave rifuxho të mineraleve dhe çimentos. Aty është përpunuar edhe karburant. Kohë më parë rreziku i ndotjes së ujit të detit në basen dhe mjedisit përreth nga këto minerale, ka qenë jo i vogël. Shërbimi i pastrimit në port është privatizuar dhe kontrata ka të përcaktuar detyrimet së bashku me penalitetet, pra kemi hequr një pjesë të merakut në këtë drejtim. Kalata ka pasur herë pas here investime edhe për të displinuar çështjen e mbetjeve apo të mbetjeve që rrjedhin në kohë me shi.

Sistemi i kullimit ka penguar çdo material, që do të përfundonte në det, nëse nuk do të kishte sistem të tillë të mbjedhjes së ujërave. Baseni nuk ka asnjë mundësi të ndotet nga precipitimi i materialeve të ndryshme. Për rastet që ka pasur ndotje nga derdhjet e pavullnetshme të anijeve çisterne, si pasojë e një defekti apo avarie, është ndërhyrë me mjete të tjera. Izolimi i vatrave të ndotjes nga vajërat realizohet me anë të shiritave specialë dhe jastëkëve thithës. Kemi demostruar shumë raste të improvizuara të një ndotje të mundshme dhe mënyrën e izolimit të vatrave të tilla.

Në kalatën lindore kromi, ferokromi dhe minerali i hekurit, rrezikojnë ndotjen mjedisore nga pluhurat e ndryshme minerale.

Praktika e deritanishme lejon futjen e mallit në port, vetëm nga firma e kompani të pajisura me liçensë. Ato mbajnë përgjegjësi për çertifikimin e pastërtisë së mallit. Në këtë rast, edhe atë të garancive të mosndotjes së mjedisit. Nga ana tjetër çdo mall, që importohet e eksportohet, ka krahas të tjerave edhe çertifikatën e analizave. Po të marrim rastin e një moti me erë të fortë në një kalatë, ku ka mineral rifuxho, sigurisht që mjedisi do të ketë ndotje nga pluhurat që ngrihen lart, por një shqetësim të tillë e kanë të gjitha portet ndaj mallra të tilla përpunohen në zona periferike. Ndoshta me kalimin e kohës mund të mendohet për impiante të pastrimit të ajrit, por sot për sot ky është realiteti. Është në përfundim investimi në këtë pjesë të portit, zonë që do të ketë tërësisht infrastrukturë të nivelit bashkëkohor.

Nga ana tjetër ne jemi në përfundim të instalimit të aparaturave të reja dhe moderne të laboratorit të mjedisit brenda në port. Shumë shpejt, ndoshta është çështje ditësh, do të përurohet laboratori i ri. Kjo do të na mundësojë neve, që të garantojmë pastërtinë e çdo malli, që importohet apo eksportohet. Deri tani ne marrim për bazë çertifikatën e laboratorit nga vendi i origjinës së mallit, ndërsa kësaj analize do t’i shtohet edhe çertifikimi nga laboratori ynë. Gjithë porti do të jetë në monitorim të plotë. Do të analizohen kampionë të ujit të detit, në pika të ndryshme, ajri në terminalin e udhëtarëve dhe në kalatat e përpunimit të mallrave, apo edhe kampionë nga mallra në kalatën lindore.