Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu deklaroi sot se projektligji i ri për organizimin dhe funksionimin për policinë gjyqësore ka rëndësi edhe në kuadër të Reformës në Drejtësi.
“Ndërhyrja për përmirësimin e ligjit për policinë gjyqësore është me rëndësi edhe në kuadër të Reformës në Drejtësi që ne me shumë sforco po përpiqemi ta implementojmë, edhe pse opozita është vënë kundër implementimit të kësaj reforme që shqiptarët mezi e presin”, tha Ndreu.
Ndreu tha se një risi e këtij projektligji është Komisioni i policisë gjyqësore.
“Është risi sepse policia gjyqësore ka qenë problem deri sot në punën e përditshme. Ky problem ka ardhur sepse në 1995-n kur u fut Kodi i ri i Procedurës Penale, në shërbim ideja ka qenë që shërbimet e policisë gjyqësore dhe Prokuroria të jenë një. Dhe me ligjin që është aktualisht i takon Prokurorisë që nga ana proceduriale ta drejtojë policinë gjyqësore”, tha ai.
“Shpesh akuzohet policia gjyqësore se nuk bën mirë marrjen e provave, por kush e ka këtë përgjegjësi. E ka Prokuroria. Prandaj projektligji i ri e rregullon këtë problem”, shtoi Ndreu.





